Lajme

Mehaj e Sveçla vizitojnë Jarinjën dhe Bërnjakun, monitorojnë nga afër punën e Policisë


Armend Mehaj dhe Xhelal Sveçla

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka njoftuar se së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, të shtunën 4 qershorit kanë realizuar një vizitë në pikë kalimet kufitare në Jarinje e Bërnjak, për të parë nga afër kontrollin strik, i cili sipas tij po mundëson luftimin me efikasitet të kontrabandës.

Sipas Mehaj, Policia e Kosovës po bënë një punë të shkëlqyer, me nder e dinjitet.

“Zbatimi i ligjit është dhe do të mbetet detyra e përkushtimi ynë kryesor. Përgëzoj policinë e Republikës së Kosovës, për profesionalizmin në punën e tyre, gjithnjë në shërbim të vendit”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Në anën tjetër, Sveçla, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook, përveç që e ka njoftuar takimin ka thënë se luftimi i kontrabandës dhe kontrolli efikas kufitar po prodhojnë rezultate të dukshme.

“Mbesim të përkushtuar për ngritje dhe forcim të kapaciteteve tona drejt qëllimit tonë për sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.

Së fundmi Policia e Kosovës gjatë një aksioni operacional në Veriun e Kosovës, kishte arritur të sekuestronte një sasi të konsiderueshme të mallrave të kontrabanduara, të cilët ishin futur në Kosovë nga Serbia përmes rrugëve ilegale.

Për shkak të kësaj lufte të pa kompromis kundër kontrabandës – sidomos në pjesën veriore të vendit – Policia e Kosovës ka qenë cak e disa sulmeve muajin e kaluar.

Sulmi i fundit kundër pjesëtarëve policor kishte ndodhur më 16 prill, ku këta të fundit ishin sulmuar me mjete piroteknike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore