Megaoperacioni antidrogë “Tempulli” – Qindra të arrestuar, shkatërrohen 23 grupe kriminale
Brixhilda Xhuraj
14.09.2023 12:45Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka bërë me dije se në kuadër të superoperacionit të zhvilluar gjatë natës së mbrëmshme deri në orët e para të mëngjesit janë arrestuar 214 shpërndarësve të drogës, të cilët kishin në shënjestër të veprimtarisë së tyre kriminale nxënësit e shkollave.
Pas një hetimi të imtësishëm e mbledhjeje të provave në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve.
Në total, Rrumbullaku tha se janë lëshuar 296 masa sigurie “arrest në burg” dhe janë kontrolluar 356 ambiente të ndryshme.
Prej tyre, janë ekzekutuar 214 masa sigurie “arrest me burg”, 19 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 82 persona janë shpallur në kërkim.
Sipas tij, një pjesë e madhe e të arrestuarve janë anëtarë të grupeve kriminale në qytete si Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani e Vlora.
Rrumbullaku tha se, operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në të gjithë territorin e vendit.
Për të, po hetohej përgjatë 8 muajve dhe konkretisht në këtë periudhë kohore janë bllokuar sasi të mëdha droge që do të hidheshin në treg në doza të vogla.
“829 kg kanabsi një pjesë e përpunuar në formë çokollate, 61 kg heroinë, 5.2 kg drogë ekstazi dhe të ndaluar janë 1 mijë e 541 shtetas për shitje lëndësh narkotike”.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se është kambanë alarmi fakti se është ulur mosha e përdorimit të drogës.
Sipas tij, po përdoren lloje drogash sintetike të cilat janë një rrezik për jetën për të rinjtë ndërsa theksoi se do të shtohen masat.
“Është shtuar edhe përdorimi i drogave sintetike që paraqesin rrezikshmëri të lartë. Janë zbuluar lloje droge që për ne ishin të panjohura më parë për ekzistencën e tyre në Shqipëri”.
“S’do lejojmë zona të lira për spaçatorët e drogës”.
Ministri nënvizoi se asnjë grup kriminal nuk do të lejohet të veprojë brenda perimetrit të sigurisë në shkollat e vendit dhe se format e dënimit për raste të tilla do të dyfishohen.
“Do dyfishohen format e dënimit për shpërndarjen e shitjen e lëndëve narkotike brenda perimetrit të sigurisë së shkollave”.
Ai ka nxitur Policinë e Shtetit ta ruajë këtë qasje të re në luftën kundër narkotikëve.
Kjo pasi sipas tij, është përgjegjësi e përbashkët për ta çuar në nivel tjetër edhe qasjen e vetëpastrimit në radhët tona.
“Ky ishte operacioni i parë i këtij niveli dhe ju mos u habisni kur të kemi ngjarje të tilla në vijim”.
Operacioni u përshëndet edhe nga kryeministri Edi Rama.
“Një duartrokitje e fortë për Policinë e Shtetit, e cila dita-ditës po rrit forcën goditëse ndaj keqbërësve të çdo lloji dhe po afirmon fuqinë e saj si garante e rendit, sigurisë e qetësisë publike në çdo komunitet”.