Lajme

Medvedev: Shtetet e Bashkuara po përpiqen të shkatërrojnë Rusinë


Një nga aleatët më të ngushtë të shefit të Kremlinit, Vladimir Putin, Dmitry Medvedev, ka deklaruar të mërkurën se Shtetet e Bashkuara synojnë të poshtërojnë, përçajnë dhe përfundimisht të shkatërrojnë Rusinë dhe u zotua se vendi nuk do ta lejonte kurrë të ndodhte.

Medvedev, i cili shërbeu si president nga viti 2008 deri në 2012-tën dhe tani është zëvendës sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se një plan i tillë – nëse arrihet ndonjëherë – mund të ketë rezultate katastrofike për botën.

“Rusia nuk do ta lejojë kurrë një zhvillim të tillë”, tha ai në një mesazh të postuar në Telegram.

Kujtojmë që kjo është dita e 28-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, mbi 10 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë.

Ndërsa nga shifrat vendase, rreth 2 mijë e 500 civilë mendohet se janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Ndërsa OKB-ja ka raportuar të paktën 816 njerëz të vrarë dhe 1 mijë e 333 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore