Shqipëria

Mediun nuk e “prek” as GJKKO-ja


“Me më shumë se tetë vjet të kaluara, koha qe e mjaftueshme për të rinisur një çështje ndaj Fatmir Mediut, pa asnjë pengësë për ndjekje penale, e megjithatë, kjo dosje nuk është rihapur”.

Kështu i është përgjigjur Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) , kërkesës së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar (SPAK), të martën e 27 korrikut, duke e rrëzuar atë dhe duke e lënë Mediun “pa gjykim”.

Në vendim thuhet gjithashtu se “Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit”.

Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.

Dosja “Gërdeci”

Për Albanian Post, analisti Ben Andoni, thotë se kjo çështje e gjykimit të Mediut do të ketë përgjithnjë probleme.

Sipas tij, çfarëdo gjykimi dhe arsyetimi që bëjmë ne, institucionet shqiptare e lexojnë dhe e kanë të instaluar vetë kontrollin.

“Historia e kësaj dosjeje ka shumë dritëhije “, thekson Andoni.

Sidoqoftë, për analistin Ben Andoni, logjikisht asgjë nuk e pengonte Gjykatën Speciale Kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) të procedonte pas kërkesës së SPAK-ut.

Ndaj, këto shenja sipas tij, tregojnë se rezultatet që presim nga Reforma në Drejtësi nuk do të jenë dot kurrë në masën që ne besojmë.

“Vetëm të shikosh vendimin dhe e kupton se, loja e frazave, sipas të cilave, Mediu s’e ka më imunitetin dhe mund të hetohej nga Prokuroria, ndalimi për të zbardhur Gërdecin, është shumë më tepër sesa morali që ne kërkojmë nga strukturat e reja të Drejtësisë, që para peshores kanë telefonin e interesit”, shton analisti.

Duke iu kthyer institucionit të GJKKO-së, ai thotë se kur mendon që ministri është shmangur me procedurë deri më tani, gjykatës ia jepte të drejtën dhe “misioni historik të procedonte dhe të niste sqarimin e një çështjeje që mbart jetën e 26 viktimave dhe një korrupsioni jo të vogël”, përmbylli Andoni.

Fronti ligjor SPAK-GJKKO

“Vendimi i gjykatës është gjithnjë i drejtë. Të paktën deri kur një gjykatë më e lartë të mos e ketë rrëzuar. Gjyqtari interpreton ligjin sipas bindjes së tij”, deklaroi për Albanian Post, juristi Rezart Kthupi lidhur me vendimin e GJKKO-së.

Sipas leximit të tij, rezulton që gjyqtari e ka bazuar rrëzimin në faktin që kanë kaluar mbi 10 vjet nga vendimi i Gjykatës së Lartë, i cili interpretonte të drejtën e prokurorit për të kërkuar autorizimin për ndjekje penale.

Për Kthupin, në thelb, ajo që duhet vlerësuar në analizën e vendimit është fakti nëse është përmbushur apo jo afati 10-vjeçar.

“Nëse ky afat është përmbushur, atëherë ligji është i qartë dhe ndjekja penale nuk mund të fillojë e, për pasojë, kërkesa e Prokurorisë duhej rrëzuar”, nënvizoi ai.

Juristi shton se nga brendia e vendimit, del që gjyqtari e ka konsideruar 2009-ën si vit në të cilin mund dhe duhet të kishte filluar ndjekja penale. Kthupi sqaron se, për shkak të qenies së Mediut “deputet”, kjo ndjekje nuk mund të fillonte pa autorizimin e Kuvendit.

“Nga ana tjetër, nuk rezulton që Prokuroria të ketë paraqitur të paktën kërkesën në Kuvend që të kishte një shkak pezullues për afatet e parashkrimit”, shtoi Kthupi.

Në përmbyllje, Kthupi tha se, në mungesë të një veprimi që të pezullonte afatet deri në marrjen e autorizimit nga Kuvendi, dhe duke pasur parasysh që nga viti 2012 e në vijim nuk ka filluar ndjekja penale edhe në kushtet kur nuk ishte i nevojshëm më autorizimi, “mendoj që me të drejtë gjyqtari e ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë”.

15 mars 2008

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, pranë Tiranës, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 të tjerëve, plagosja e lehtë e 109 syresh, si edhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të mbi 120 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.

Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Përgjithshme, regjistroi procedimin penal në 2008-ën dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë.

Në këtë hetim, Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shkaku për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Mediut, ka qenë për shkak të imunitetit parlamentar.

Prokuroria e Posaçme tashmë, ka vlerësuar se ndjekja penale për çështjen ndaj Fatmir Mediut, nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë. Kjo, pasi pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes. Ndërsa tani, ajo nuk ekziston.

Çështja “Gërdeci” ka qenë ndër më të përfolurat në opinionin publik në mijëvjeçarin e ri në Shqipëri. Përtej Mediut, implikime direkte mbi këtë çështje kanë shkuar edhe për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit, Sali Berisha. Ky i fundit, pikërisht për këto çështje dhe për korrupsion, është shpallur “non grata” në SHBA.

Ndërsa, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës që prej viteve 1990, Fatmir Mediu, mesa duket nuk do të vihet “sërish”, në bankën e të akuzuarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore