Lajme

Mediat perëndimore për Vulin’in: Një politikan pro-rus në krye të inteligjencës serbe


Aleksandër Vulin

Agjencitë e lajme perëndimore, The Associated Press dhe France Press, pas emërimit të Aleksandër Vulin’it në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), kanë raportuar se Qeveria e Serbisë caktoi një politikan pro-rus si shefin e ri të inteligjencës shtetërore.

Ai vizitoi Moskën në gusht, nën petkun e ministrit të Punëve të Brendshme – ndër vizitat e rralla nga zyrtarët shtetëror evropian që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës – dhe deklaroi haptas se Beogradi nuk do t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

“Vulin konsiderohet ‘njeriu i Moskës’ brenda lidershipit serb”.

AP thekson se Serbia, e cila ka vite që zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është duke u larguar nga vlerat  evropiane drejt aleatit të saj tradicional – Rusisë, po edhe Kinës.

“Emërimi i tij në një pozitë kaq të ndjeshme shihet si një fyerje tjetër për Perëndimin dhe injorim i thirrjeve për Serbinë që të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së”, shkruan AP.

Siç kujton AP, Vulin mbron idenë e krijimit të së ashtuquajturës “bote serbe” – si kopje e “botës ruse” – e cila do t’i bashkonte të gjithë serbët në Ballkan, nën udhëheqjen e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Bota serbe”, viteve të fundit, është një politikë e lansuar pikërisht nga korrieri i Vuçiç’it, pra, e njeriut që udhëhoqi departamentin e mbrojtjes dhe të policisë në Serbi.

Ai në funksion të elaborimit të ideve të sferës private të mendimeve dhe aspiratave të Vuçiç-it, si zëdhënës i ideve për të cilat presidenti i tij s’flet, e ka komoditetin, që publikisht, t’i hedh këto ide serbo-madhe, në mënyrë që të çlirojë Vuçiç-in nga barra e të dhënit përgjigje për këto ambicie të errëta të Serbisë.

Ndërkaq, France Press shkruan se Vulin, një politikan prorus dhe një njeri i afërt me presidentin Vuçiç, njihet për deklaratat e tij etno-nacionaliste dhe irridentiste, që shpesh kanë shkaktuar konflikte diplomatike me vendet fqinje.

Gjithashtu, FP kujton se Vulin është një nga të paktët zyrtarë evropianë që u takua me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov, dhe i cili përsëriti se Beogradi nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të ishte pjesë e “histerisë anti-ruse”.

Serbia ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012 dhe vazhdon të mbajë lidhje të ngushta me Moskën, nga e cila varet pothuajse tërësisht për furnizimet me gaz.

Si funksionon BIA? – Historiku i organizatës famëkeqe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore