Shqipëria

Mediat në Shqipëri dhe Greqi vijojnë të kenë perceptime të gabuara në raportimin e lajmeve, tregon vëzhgimi


Raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë pasur ndër vite ulje-ngritjet e veta, por së fundmi ato kanë parë rritje sa i përket një konteksti të komunikimit dypalësh, mbi të gjitha për çështje që prekin vetë vendet, apo edhe kontekstin rajonal në tërësi.

Përkundër kësaj, pengesa të vazhdueshme vijojnë të shfaqen sa i përket perceptimeve të gabuara nga dy shoqëritë, duke përfshirë edhe raportimin nga mediat kryesore në të dy vendet.

Kështu ka vërejtur një raport i parë nga Observatori i Medias (MORE), i cili është edhe pjesë e projektit ALGREE, nga Fondacioni Helenik për Evropën dhe Politikën e Jashtme, Eliamep.

Synimi i këtij raporti të parë, siç pasqyrohet në publikimet e organizatës, me të cilën Albanian Post është në kontakt të vazhdueshëm, ka qenë të filtrojë zhurmën, që zakonisht shoqëron historitë, ose narrativat e ndryshme që qarkullojnë në media, lidhur me çështjet e hapura.

Raporti, gjithashtu, synon të funksionojë si një shtytës reflektimi për gazetarët, opinionistët dhe publicistët, për të rimenduar mbi mundësitë e humbura në sferën publike të të dy vendeve.

Parasysh për raportin e parë, janë marrë disa ngjarje, si për shembull vizita e ministrit të Jashtëm grek në Shqipëri, në maj 2022, “fiksimi” i mediave shqiptare me çështjen e kufijve detarë, apo “fiksimi” i mediave greke rreth marrëdhënieve Turqi-Shqipëri.

Po ashtu, me thelb ka qenë edhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, apo suksesi i atletes së njohur greke në hedhjen e gjyles, Elina Tzengko.

Në përfundim të vëzhgimeve, është dalë në konkluzione të dukshme se mediat shqiptare dhe greke, kanë perceptime të gabuara në raportimin e lajmeve.

Fjala bie, çështjet e mprehta dhe mosmarrëveshjet, vijojnë të ekzistojnë mes dy vendeve.

Mirëpo, mediat nga të dyja palët, në vend të përqendrohen tek gjendja aktuale e raporteve zyrtare midis dy palëve, fokusohen më shumë në polemika dhe çështje me ndjeshmëri.

“Mediat nga të dyja palët po flakin tutje një mundësi për të raportuar me saktësi mbi nivelin e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe vullnetin e mirë që është treguar nga të dyja qeveritë”, shqyrton më tej vëzhgimi.

Natyra tejet teknike dhe komplekse e çështjes së kufijve detarë, po shfrytëzohet nga disa media dhe analistë për të mbjellë mosmarrëveshje dhe për të dobësuar besimin midis dy palëve, nga ana tjetër.

Teksa, mbulimi mediatik mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, mbetet i vogël në perspektivë nga të dyja palët dhe më së shumti, sipas vëzhgimit, përqendrohet në interesin kombëtar.

Ai dështon të raportojë dhe të analizojë përfitimet që pritet të sjellë integrimi evropian për shoqërinë shqiptare, marrëdhëniet dypalëshe dhe Ballkanin Perëndimor në tërësi.

Pavarësisht kësaj, mbulimi në këtë temë është i gjerë, gjë të cilën nuk e gjen një histori suksesi si ajo e atletes Tzengko, apo shumë të tjerëve si ajo.

Kjo, pavarësisht faktit se personazhe të tillë, kanë nevojë për më shumë vëmendje mediatike, mbi të gjitha nëse ekziston një dëshirë që situata aktuale shoqërore, të përfaqësohet me më shumë vërtetësi dhe të rritet mirëkuptimi i ndërsjellë midis shoqërive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore