Sport

Mediat britanike kanë hedhur dritë mbi largimin e Lampard-it nga Chelsea


Lampard u largua nga drejtimi i Chelsea-s në 25 janar, pas gati një viti e gjysëm në krye të bluve të Londrës. Media e madhe sportive “The Athletic” ka zbuluar prapaskenat, që ndikuan në largimin e Frank Lampard-it.

Përplasja e vazhdueshme me shefen e klubit, Marina Granovskaia, besohet se ka qenë arsyeja kryesore që ka sjell largimin e teknikut.

Granovskaia dhe Lampard-i, në fillim kanë patur një marrëdhënie të mirë, por kërkesat e vazhdueshme të këtij të fundit, mbi merkaton, ishin pikënisja e ftohjes së marrëdhënies së tyre.

Tekniku edhe pse shpenzoi rreth 250 milionë euro merkaton e shkuar, duke afruar lojtarët që dëshironte, përsëri kërkonte ndërhyrje të tjera, të kushtueshme.

Declan Rice dhe James Tarkowski, ishin dy dëshirat e tjera të Lampard-it. I pari ka një vlerë rreth 70 milionë euro, ndërsa i dyti rreth 30 milionë euro.

Një tjetër arsye, që ndikoi negativisht në raportin mes Lampard-it dhe Granovskaia-s ishte trajtimi që Frank-u i bëri Kepa Arrizabalaga-s. Portieri është një nga dy blerjet më të shtrenjta të Chelsea-s, së bashku me Kai Havertz-in.

Kërkimi i një portieri të ri, në merkaton e shkuar, të cilin dhe e mori, Edouard Mendy-n, ishte një “keq trajtim” për Kepa-n, që sipas Lampard-it kishte bërë gabime të mëdha.

Për Kepa-n ky trajtim ishte një zhgenjim, që tekniku nuk e mbështeti mjaftueshëm dhe portieri ishte shumë i pakënaqur me situatën e krijuar.

Aspekt tjetër negativ për Lampard-in, ishin kritikat publike drejtuar lojtarëve. Kritika të cilat, gjithmonë sipas The Athletic kanë rritur pakënaqësin te lojtarët në raport me Lampard-in.

Dhe në dhomat e zhveshjes kishte pakënaqësi sesi Lampard-i menaxhonte situatat, sidomos në rastet kur ekipi ishte në humbje, apo e kishte humbur ndeshjen.

Lampard-i gjithashtu i kërkoi klubit, nxjerrjen në merkato të mbrojtësit gjerman, Antonio Rudiger-it. Lojtari vlerësohet shumë nga bordi drejtues i Chelsea-s.

Pavarësisht arsyeve të renditura më siper, në shkarkimin e Lampard-it ndikuan jo pak dhe rezultatet e fundit te Chelsea-s. Vendi i nëntë në Premier Ligë, pas gjithë atyre parave të shpenzuara, nuk mund të kapërdihej lehtë nga Granovskaia.

Humbja ndaj Leicester-it në Premier Ligë, la shije të hidhur te bordi drejtues, sidomos te Granovskaia, pavarësisht se fitoi ndeshjen pasardhëse në Kupën FA, ndaj Luton Town-it.

Largimi i Lampard-it dukej i paralajmëruar pas gjithë këtyre fakteve, që sa vinin dhe krisnin më shumë raportin mes tij dhe Granovskaia-s.

Përshtatur për The Athletic nga AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore