Muzikë

Me zërin e plotë, The Weeknd kthehet në vendlindje për dy koncerte mbresëlënëse


Nuk e fshehu në asnjë çast trishtimin e thellë për ikjen e zërit gjatë koncertit të fundit të zhvilluar në Las Vegas, por rikthimi që i kanë dhuruar dashamirësit në qytetin e tij të lindjes, Toronto, ka qenë madhështor dhe përtej çdo pritshmërie.

Abel Tesfaye, i njohur në art si The Weeknd, është kthyer në vendlindje për dy koncerte të njëpasnjëshme dhe jo vetëm që të dy ishin me kapacitetet të ezauruar, por në të dy, pritshmëritë e artistit kanadez të muzikës R&B janë tejkaluar.

Kore masive me tekstet e këngëve të tija a capella, entuziazëm i pamasë dhe duartrokitje e vlerësim pafund për The Weeknd. Kjo ka qenë skena ku ai ka dalë e performuar.

Prej shumë kohësh e pati pritur këtë çast dhe nuk mbeti pa kujtuar koncertin e tij të parë, në vitin 2011, në “Mod Club”.

“E di se disa prej jush ndoshta kanë qenë aty dhe kanë besuar te unë e muzika ime që prej asaj dite”, i tha ai publikut, i cili pa diskutim u ngazëllye dhe vërshoi në brohorima.

Kështu, The Weeknd e mbyll gjithë turin e tij në Amerikën e Veriut, si pjesë e “After Hours til Dawn”, pas dy albumeve të suksesshme në dy vitet e fundit, After Hours dhe Dawn FM.

Radhën në agjendën e muzikantit mendohet se do ta ketë një tur në Amerikën e Jugut e më pas edhe Evropë dhe Azi, por me data ende të pacaktuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore