Lajme

Më shumë se 30 tregtarë armësh në Rusi i kanë shpëtuar sanksioneve


Më shumë se tre duzina tregtarësh rusë të lidhur me tregtinë e armëve, deri më tani i kanë shpëtuar sanksioneve perëndimore.

Kjo, në lidhje me luftën në shkallë të gjerë të nisur nga Rusia në Ukrainë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Për shembull, ish-ministri i Transportit i Federatës Ruse, aksioneri më i madh i koncernit të Kallashnikov-it, Alan Lushnikov, aktualisht nuk përfshihet në sanksionet perëndimore.

Kallashnikovi është përgjegjës për 95 për qind të prodhimit rus të pistoletave, pushkëve snajper, pistoletave dhe armëve të tjera të vogla.

Një situatë e ngjashme është edhe me koncernin Almaz-Antey, i specializuar në prodhimin e raketave dhe sistemeve antiraketë.

Ndërsa sanksionet e SHBA-ve, BE-së dhe Britanisë janë vendosur kundër kompanisë, CEO i saj Jan Novikov nuk është nën asnjë kufizim.

Ndër kompanitë e tjera që shmangën sanksionet perëndimore për shkak të agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, është Uzina Degtyarev.

Kjo e fundit, prodhon mitralozë, armë antitank dhe kundërajrore për ushtrinë ruse; Fabrika e Specializuar e Municioneve Klimovsk dhe Fabrika e Qitjes në Novosibirsk, të cilat prodhojnë karikatorë për pushkë sulmi kallashnikov dhe pistoleta.

Një nga kompanitë më të njohura në sektorin rus të mbrojtjes që nuk u sanksionua është VSMPO-Avisma.

Ajo është furnizuesi më i madh në botë i titanit dhe 25 për qind të aksioneve të saj zotërohen nga korporata Rostec, më e madhja në kompleksin ushtarak-industrial rus.

Reuters bën me dije se një nga arsyet për një lëvizje të tillë është se “VSMPO-Avisma” ka filiale në SHBA, Zvicër dhe Britani të Madhe.

Duhet të theksohet se kompania furnizon lëndë të para, në veçanti, për prodhimin e avionëve Su-34, të cilët u përdorën në luftën në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore