Lajme

“Më shumë përkthyes afganë duhet të zhvendosen në Mbretërinë e Bashkuar”


Disa ish-komandantë ushtarakë i kanë bërë thirrje qeverisë britanike për të lejuar më shumë afganë, të cilët kanë punuar për forcat britanike, të vendosen në Mbretërinë e Bashkuar (MB).

Kohët e fundit, ministrat kanë zgjeruar skemën e zhvendosjes së MB për afganët.

Por, në një letër drejtuar kryeministrit Boris Johnson, ata shkruajnë se ishin “shumë të shqetësuar” për qindra përkthyes, të cilëve u ishte refuzuar aplikimi.

Ministria e Mbrojtjes, në një deklaratë publike, theksoi se kishte mbështetur më shumë se dy mijë e 200 afganë dhe familjet e tyre për t’u vendosur në Mbretërinë e Bashkuar.

Nënshkruesit e letrës janë: katër ish-shefat e shtabit të mbrojtjes, dy ish-krerë të Ushtrisë Britanike, ish-këshilltari i Sigurimit Kombëtar dhe ish-ministri i Mbrojtjes.

“Shumë nga përkthyesit tanë të mëparshëm janë refuzuar në mënyrë të panevojshme dhe të paarsyeshme”, shkruhet në letrën e tyre.

Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace, njoftoi planet për të përshpejtuar zhvendosjen e qindra përkthyesve afganë në MB, pas vendimeve të forcave amerikane dhe të NATO-s për t’u larguar nga vendi.

Sipas Politikës së Zgjeruar të Zhvendosjes dhe Ndihmës Afgane (ARAP), qeveria tha se tre mijë ish-përkthyes të tjerë dhe familjet e tyre do të lejohen të vendosen në MB.

Por letra nxjerr në pah rastet e shumë përkthyesve, të cilët janë në mesin e 35% të stafit që u pushuan nga shërbimi për arsye të ndryshme “pa ndonjë proces të duhur ose aftësi për të apeluar shkarkimin e tyre”.

Aleanca Sulha, e cila po bën fushatë për të drejtat e ish-përkthyesve afganë dhe që koordinoi letrën, pretendon se qeveria pret vetëm të zhvendosë një maksimum prej 800 përkthyesish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore