Jetesë & Stil

Me punë, por pa jetë!


“Çdo ditë, zgjohem rreth orës 07:00 dhe filloj bëhem gati për punë. Dita më shkon thuajse e gjitha aty. Rruga e kthimit në shtëpi më duket e lodhshme dhe kur mbërrij, nuk kam ndonjë dëshirë tjetër veçse të bëj një dush e të qetësohem pak”.

“Ndonjëherë më shkruajnë miqtë për t’u takuar. Mbyllja pas orës 20:00 nuk më lë hapësirë të nevojshme. E njëjta gjë, ndodh me shumë të rinj të tjerë”.

“Kjo është puna ime e përditshme dhe e kolegut tim”.

Me punë, por pa jetë! Një dukuri, shndërruar rutinë prej pandemisë, gjatë këtyre thuajse 12-muajve të fundit. Të rinj që punojnë, disa prej nevojës, disa prej pasionit, nuk kanë më një jetë sociale jashtë ambientit të punës.

“Ka pasur ndikim negativ tek unë. Te miqtë e mi gjithashtu”, thotë për Albanian Post Biora Vojka, studente e gazetarisë në Tiranë. “Na ka privuar nga shumë aktivitete sociale. Nuk bëjmë dot më asgjë jashtë punës”.

“Dëshira e momentit e gjithsecilit, duket sikur është shprehja: Mos shkofshim në derën e spitalit!”, vijon e reja. “Kjo panoramë e zymtë të bën të lutesh për shëndetin. Mbi të gjitha, po na lë pa përjetuar asnjë emocion tjetër”.

“Ajo që më mundon më shumë është fakti se ka raste kur kthehem nga puna dhe rrugët janë bosh. Kudo sheh patrulla policie. Asnjë thërrime jete sociale. Kjo më tremb, po zhduk jetën”.

Jo vetëm Shqipëria

Triada Tiranë-Prishtinë-Shkup, ndoshta, nuk ka qenë kurrë kaq e unifikuar për çështjet e rinisë, sa në këtë efekt anësor që ka shkaktuar pandemia.

“Kam pasur jetë shumë dinamike, rreth njerëzve që i dua, shoqërisë, familjes”, përshkroi për AP një e re nga Tetova, e cila preferoi të mos bëhej publike. “Kisha një liri që nuk mendoja kurrë se do e humbisja. Sot, fatkeqësisht, po përjetoj të pamendueshmen”.

“Shpenzonim aq shumë kohë në fakultet. Kohë të bukur. Punonim në grup. Kur e mendoj tashmë në retrospektivë, ajo gjë aq normale dhe e thjeshtë, më duket si gjëja më e bukur në botë”.

Ndër të tjera, tetovarja ndihet “e ngulfatur” brenda një qyteti që i ndërron fashat orare për çdo javë.

“Më mungojnë udhëtimet. Liria që ato më jepnin, qetësia. Gjithçka na ka mbetur, janë takimet universitare në ndonjë platformë virtuale tejet larg realitetit”.

Genisi nga Prishtina ka qenë i infektuar me Covid-19 më parë. Ajo që nuk dinte ai, ishte se më shumë do të vuante izolimin pasardhës, se sa vetë sëmundjen, të cilën e kishte kaluar lehtë.

Gjithsesi, ai përpiqet çdo ditë të shohë ndonjë anë pozitive të situatës. “Studioj, punoj dhe shumë rrallë shpenzoj kohë jashtë këtyre ambienteve. Çfarë më ngelet, i përdor për pasionet e mia”.

Dhimbja për të është e madhe kur nuk i lejohet të ndjekë ekipin e zemrës në stadium. Politika është një tjetër pasion i tij, por e ka të vështirë të marrë pjesë përtej mbledhjeve online.

“Nuk mbaj mend herën e fundit kur kam bërë ndonjë aktivitet përveç punës dhe shkollës. Më është krijuar një izolim akoma më i madh se sa e kam pasur”.

Çfarë thotë psikologia për këtë situatë?

Pasojat vihen re edhe nga vetë psikologët, të cilët kanë mbajtur një barrë të madhe mbi shpatulla, për të garantuar çdokënd të marrë një përkujdesje të duhur nëse e kërkon.

Brunilda Laboviti, psikologe klinike e zhvillimit dhe marrëdhënieve, pedagoge prej vitesh, ka mendimin se “tashmë që jemi një vit pas fillimit të pandemisë, rutina mund të quhet e ndryshuar tërësisht”.

“Në fillim ishte e vështirë për të gjithë. Por, nëse të tjerët u mësuan disi, të rinjtë, të cilët punojnë, po vuajnë mungesën e kohës për aktivitete sociale. Të gjithë kemi nevojë të shpenzojmë kohë me të tjerë pas përfundimit të punës. Mbi të gjitha, të rinjtë”.

Laboviti e përkufizon këtë izolim social si një “orë me zile”, që zgjon ndjesi negative tek individi. “Kthehet në gjë të rrezikshme, pasi tensioni i akumuluar gjatë punës nuk mund të shkarkohet nga të rinjtë”.

“Rrezik i madh është dhe humbja e kontakteve tërësore. Njeriu është qenie sociale. Ndërveprimi na formëson. Ndërprerja e tij mund të sjellë pasoja të rënda në psikikën e njeriut”.

Për sa i përket rijetëzimit të ditëve, psikologia këshillon ndërmarrjen e aktiviteteve të reja. “Duhet të përpiqemi të zbulojmë kënaqësi të reja. Mund t’i drejtohemi punës artizanale, leximit, gatimit. Aktiviteteve që kryhen edhe në shtëpi”.

Nesër do të jetë një ditë e re, me zgjimin e zakonshëm rreth orës 07:00 dhe shkuarjes në punë. Rutina do të jetë sërish ajo kapluese, të paktën për sa kohë do të sillemi rrotull në këtë rreth pandemik.

Ndoshta nuk do të jemi aq të qetë sa duhet, edhe pse me punë.

Me punë, por pa jetë!

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore