Lajme

Me protestë punëtorët e KEK-ut kërkojnë respektimin e Ligjit të Punës


Punëtorët e KEK-ut në protestë

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar në numër të madh para ndërtesës së kësaj korporate me kërkesën për respektim të Ligjit të Punës.

Punëtorët protestues i kanë bërë thirrje menaxhmentit të KEK-ut që t’i marrë parasysh kërkesat e sindikatës së re të punëtorëve të KEK-ut.

Gjatë protestës ata kanë kërkuar kushte më të mira në punë, sigurim shëndetësor, zbatim të marrëveshjes kolektive dhe sektoriale, rrogë të 13-të, por edhe kërkesa të tjera.

Ushtruesi i detyrës së sindikatës, Selatin Sadiku ka thënë se përmes kësaj proteste po kërkojnë kushte më të mira për punë, siguri dhe ambient të pastër për punëtorë.

Ai në fjalën e tij ka thënë se vetëm gjatë vitit 2021 kanë humbur jetën 33 punëtorë t kësaj korporate.

“Në këtë ndërtesën që është afër neve janë 230 punëtorë që kanë rroga të larta edhe vende in-ekzistente pune. Me skemën aktuale, kolegë të nderuar të KEK-ut, i kemi 5300 vende të punës, ndërsa ne si punëtorë kemi mbet me 3600 punëtorë”.

“Këtë vit 216 punëtorë kanë shkuar në pension të pleqërisë dhe për fatin e keq askush nuk merret me neve”, ka thënë Sadiku.

Ai tutje ka thënë se në KEK për këtë vit për fatin e keq e kemi 1 për qind, të punëtorëve të vdekur. Duke shtuar se rastet duhet hulumtuar edhe duhet të merren organet e drejtësisë me këtë punë.

“I kemi 33 raste të punëtoreve që kanë vdekur brenda këtij viti deri më tani, që kjo nuk ndodhur as të njësia speciale e policisë e shëndetësisë”, është shprehur ai.

Protestuesit kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut që të bëjë planifikimin afatmesëm dhe afatgjatë që të mos të kenë më humbje të njerëzve dhe humbje në prodhim.

Sadiku ka thënë se menaxhmenti dhe bordi nuk duhet të shantazhojnë.

”Ka ardhur një drejtor menaxhues i cili tenton ose provon të shantazhojë këtë klasë të mrekullueshme punëtore”

“Nagip Krasniqi ka tentua me shantazhua edhe sindikatën, por e ka gabim. Me sindikatën ai duhet detyrimisht me u ulë edhe me i zgjidhë problemet, tjetër rrugë Nagip nuk ki”, është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore