Kosova

“Më pak redaktime në vendimin mbi konfirmimin e aktakuzës”, kërkon mbrojtja e Selimit nga trupi gjykues


Përmes një shkrese drejtuar trupit gjykues, mbrojtja e ish-deputetit të Levizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit, ka kërkuar që vendimi mbi konfirmimin e aktakuzës të përmbajë më pak redaktime.

Në këtë shkresë, thuhet se mbrojtja kërkon nga trupi gjykues që të riklasifikojë vendimin për konfirmimin e aktakuzës si konfidencial dhe më pak të redaktuar, për të pasqyruar versionin më pak të redaktuar të aktakuzës, të paraqitur më 27 janar 2023 dhe dosjes paraprake të ZPS-së, të  paraqitur më 15 shkurt 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Redaktimet e mbetura të aktakuzës, të urdhëruara nga gjyqtari i procedurës paraprake sipas nenit 39 (11) u hoqën dhe një aktakuzë e paredaktuar iu njoftua mbrojtjes më 27 janar 2023 dhe një version më pak i redaktuar i dosjes paraprake të ZPS-së, i paraqitur më 15 shkurt 2023”, thuhet në shkresë.

Sipas mbrojtjes, pasi që redaktimet në vendimin e konfirmimit janë bazuar në këto redaktime të aktakuzës, të cilat që atëherë janë hequr, redaktimet proporcionale në vendimin konfirmues nuk janë më të nevojshme apo të arsyeshme.

Mbrojtja thotë se duke pasur parasysh deklaratën e qartë të trupit gjykues për domosdoshmërinë e një gjykimi publik, vendimi i konfirmimit duhet të riklasifikohet vetëm mbi këtë bazë.

“Megjithatë, aktakuza e paredaktuar zbuloi gjithashtu një sërë pretendimesh të reja kundër Selimit dhe shqyrtimin gjyqësor dhe analizën e këtyre pretendimeve nga gjyqtari i procedurës paraprake në pjesët e redaktuara të vendimit për konfirmim. Marrja e këtij informacioni do të ndihmonte mbrojtjen që të përgatitej në lidhje me këto pretendime”, thotë shkresa.

Propozohet që gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së të nisë më 3 prill

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore