Lajme

Me Kushtetutë ndryshe, në realitet ndryshe – Parlamenti i Kosovës praktikisht është bikameral, njëra dhomë është e rezervuar veç për serbët


Kuvendi i Kosovës

Fuqia e madhe politike e Listës së vogël Serbe, e cila realisht garantohet edhe me Kushtetutën e Kosovës, sipas njohësve të çështjeve politike, është tejet e dëmshme për demokracinë në vend e sidomos për çështjet jetike që kanë për qëllim avancimin dhe rregullimin e shtetit të Kosovës.

Ndonëse Parlamenti i Kosovës është një strukturë një-dhomëshe, e jo me dy dhoma përfaqësuese siç është në Mbretërinë e Bashkuar apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetë fakti se Kushtetuta e Kosovës kërkon 2/3-tat e shumicës dhe 2/3-tat e komunitetit serb në Kosovë për çdo ndryshim eventual të Kushtetutës, apo të miratimit të ndonjë Ligji të rëndësishëm, e bënë atë në praktikë si dy-dhomëshe – ku në këtë rast Lista Serbe luan rolin e një dhome të dytë, e cila qëllimin e vetëm e ka bllokimin e iniciativave të rëndësishme për Kosovën.

Bikameralizmi është një formë e legjislaturës, që ndahet në dy dhoma parlamentare. Ka dallim nga forma parlamentare si unikameralizmi meqë këtu nuk është veç një dhomë që voton dhe deliberon rreth ligjeve.

Bikameral lietaralisht do të thotë “dy dhoma”. Në parlamentet dy-dhomëshe duhet të dyja dhomat të pajtohen në bërjen e ligjeve të reja. Për shembull, parlamenti i Britanisë së Madhe është bikameral meqë ka një dhomë që njihet si  Dhoma e Ulët dhe gjithashtu Dhomën e Lartë, apo Dhomën e Lordëve.

Në SHBA janë dy dhoma gjithashtu – Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

Për profesorin e Shkencave Politike, Dritëro Arifi, fuqia ligjore e Listës Serbe, e bënë Kushtetutën e Kosovës një “kushtetutë bllokuese”, për dallim nga ajo që do të duhej të ishte – “kushtetutë reformuese”.

“Kjo ka qenë një kompromis i Kosovës kur është përpiluar pakoja e Ahtisaarit, pra nëse nuk e kemi në votim edhe komunitetin serb, realisht asnjë iniciativë i ndryshimit të kushtetutës nuk mund të ndodhë. E vetmja mundësi se si mund të ndryshojë kjo problematik, është marrëveshja finale me Serbinë”, ka thënë Arifi për Albanian Post.

Dritëro Arifi

E në anën tjetër, për analistin politik, Shemsi Jashari, pakica serbe me fuqinë kushtetuese që ka prapa, abuzon me të drejtat e saj, duke vendosur kështu veto në ndryshime kushtetuese që kërkojnë realisht edhe shumicën e dyfisht nga pakicat.

“Komuniteti Serb i garanton shumë të drejta me Kushtetutë, më shumë se pakicat në shtetet e Bashkimit Evropian dhe çelësi që do të mund ta çbllokonte një gjë të tillë qëndron në marrëveshjen finale me Serbinë”, ka thënë Jashari për Albanian Post.

Sipas Jasharit partitë politike në vitin 2014 kanë pasur një mundësi për ta hequr këtë bllokadë, por që shkurtpamësia dhe interesat afatshkurtra të partive politike nuk e kanë lejuar një gjë të tillë.

“Mundësia ka qenë kur pakica Serbe kërkonte një mandat shtesë me vende te garantuara, në këmbim të votimit të ndryshimeve kushtetuese kur bëhej fjalë për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Tashmë është shumë vështirë të arrihet një ndryshim i tillë dhe nuk do të jetë e mundur pa përfunduar marrëveshje finale me Serbinë”, ka shtuar ai.

Shemsi Jashari

Çka u garantohet pakicave në Kuvend?

Nga gjithsej 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë – 10 prej tyre janë për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet tjera pakicë që jetojnë në Kosovë.

Komunitetit boshnjak i takojnë 3 ulëse, komunitetit turk 2 ulëse, përfaqësuesve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga një ulëse, si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto bashkësi, e cila fiton më së shumti vota. Një ulëse i takon komunitetit goran.

Për miratimin e ligjeve të caktuara në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese, është e domosdoshme mbështetja e dy të tretave të votave të komuniteteve pakicë.

Aleksandër Vuçiç, gjatë takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, në Beograd

Lista Serbe, dorë e zgjatur e Beogradit

Lista Serbe, është parti politike e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, por në esencë ajo koordinon ose i përçon qëndrimet politike të Qeverisë së Serbisë, pa e pasur një politikë të veten.

Lista Serbe, që nga themelimi i saj në vitin 2013, me mbështetjen e plotë të autoriteteve të Beogradit, e deri më sot ka marrë pjesë në institucionet e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, me moton për të mbrojtur dhe avancuar interesat e komunitetit serb në Kosovë, por duke deklaruar publikisht se e ndjekin tërësisht politikën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Përvoja e deritashme tregon që Lista Serbe, gjysmën e kohës e ka shpenzuar jashtë institucioneve të Kosovës, duke i bojkotuar ato dhe nuk e ka shfrytëzuar gjithë kohën për t’i përfaqësuar interesat e komunitetit serb, përmes realizimit të programit të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore