Përballje

Më i miri i historisë: Beteja e Gjeneratave


Diskutimi për lojtarin më të mirë në basketboll është një nga temat kryesore dhe më të përfolura në sport. Nga studiot e ESPN në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri te sallonet e berberëve nëpër botë debati për “GOAT”-in veç sa intensifikohet.

Disa e konsiderojnë edhe si “Beteja mes Gjeneratave” dhe është një diskutim që nuk ka përgjigje definitive – definitiv është veç debati.

Në diskutime përfshihen shpesh edhe vetë lojtarët aktivë në NBA. Madje ishte bërë edhe një votim për ta vendosur më të mirin.

Ky hulumtim i realizuar në vitin 2019 nga ‘The Athletic’ tregon se 73% e lojtarëve të NBA mendojnë se Michael Jordan është më i miri, kurse 11.9 për qind mendojnë qe është Lebron James. Në vendin e tretë me 10.6% ata kanë vendosur për Kobe Bryant.

Sidoqoftë, ky hulumtim nuk mund të japë përgjigjen përfundimtare për më të mirin e historisë. Debati nuk është vetëm mes Jordan, James dhe Bryant.

Emrat si Bill Russell, Wilt Chamberlain dhe Jerry West, të cilët kanë luajtur në vitet 60-ta janë po ashtu emra që ende flitet për ta. Në periudhën kur këta basketbollistë kanë luajtur lojën me kosha, ka pasur rregulla tjera të lojës, krahasuar me vitet 90 e tutje.

Në të 60-tat ekzistonin vetëm tetë ekipe dhe shumica e rregullave të basketbollit modern nuk ishin të implementuara.

Edhe pse basketbolli modern është më kompetitiv me 30 ekipe dhe rregullat janë me rigoroze, bota ka përparuar me teknologjinë dhe ushqimin, e kjo i jep një përparësi të madhe lojtareve ne vitin 2020.

Kjo listë përputhet edhe me hulumtimin qe e kishte bërë ‘The Athletic’. Edhepse top 10 lojtarët mund të ndryshojnë sipas shijeve, dy lojtarët më të mirë gjithmonë konsiderohen Jordan dhe James.

Debati i më të mirit u rihap në vitin 2016, kur Lebron James me Cleveland Cavaliers bëri rikthimin historik kundër Golden State Warriors, të cilët edhe sot e kësaj dite – skuadra e vitit 2016 – konsiderohen si ekipa më e mirë e të gjitha kohërave.

Jo rrallë janë pyetur edhe James e Jordan në këtë pyetje që bëhet pambarimisht në NBA. “Kush është më i miri i të gjitha kohërave?”.

James është përgjigjur, ka thënë se është ai vetë, ndërsa Jordan s’ka pranuar të japë një përgjigje të prerë.

“Finalja e 2016 më bëri lojtarin më të mirë ndonjëherë”, kishte thënë James në emisionin televiziv ‘More than an Athlete’.

Ndërsa Michael Jordan nuk kishte folur kurrë për këtë çështje. Kur ishte pyetur për më të mirin e historisë në një intervistë për Cigar Aficionado, ai thoshte se “nuk mund ta zgjedhësh kush është më i miri i historisë. Unë s’kam luajtur kurrë kundër Jerry West ose Wilt Chamberlain. Nuk mund ta di dhe nuk mund ta them që njëri është më i mire se tjetri”.

Sidoqoftë, arsyeja pse Jordan dhe James janë këtu, nuk është vetëm për shkak të statistikave briliante the çmimeve të shumta.

Ata janë në këto pozita për shkak të narrativave të mrekullueshme që i kanë shkuar me djersë në parket.

Lebron pas katër vjetëve larg vendlindjes së tij, Cleveland Ohio, vendosi të kthehet në Cleveland Cavaliers dhe të mposhtë ekipin me rekordin më të mirë në histori.

James me Kalorësit e Cleveland-it bënë të pamundurën në finalen e 2016 dhe i dha qytetit të themeluar në vitin 1796 titullin e parë në histori.

Jordan pasi i kishte fituar tri unaza, vendosi ta lë sportin e basketbollit dhe t’ia përmbushë ëndrrën babait të tij, i cili në rrethana të çuditshme ishte vrarë në vitin 1993.

Ai vendosi që të luajë bejsboll dhe nënshkroi me Chicago White Sox. Pas 2 vjetëve u rikthye në sportin dhe ekipin e tij të zemrës në Chicago Bulls, ku ishte kryesori në fitoren e tre titujve të tjerë radhazi.

Këto janë disa nga historitë e shumta që i bëjnë James dhe Jordan kaq të mëdhenj. Debati për më të mirin e të gjitha kohërave në basketboll do të vazhdojë derisa loja e bukur e vendosjes së topit në kosh ekziston./AlbanianPost

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore