Shqipëria

Me hapa pas, Shqipëria sërish ndër vendet me demokracinë më liberale në Ballkan


Tranzicioni 30-vjeçar e vijues i kalimit nga një regjim diktatorial tejet të ashpër në një demokraci funksionale në kërkesë, ka qenë thelbi politik i kushtrimit të shqiptarëve që prej fillim-viteve 1990, kur hapi i madh pa kthim pas, i vendosjes së pluralizmit politik dhe Republikës Parlamentare, u mor.

Në gjithë këto tre dekada të gjata, por të shpejta, kërkesa për të qenë shëmbëlltyrë e një vizioni evropian të hapur, u bë synim, përtej kostove.

Sot, Shqipëria në të vërtetë ka tejkaluar edhe vendet e rajonit, të cilat një lehtësim politik e morën shumë më herët dhe kalimin tranzicional, e patën më të butë.

Në këtë përfundim ka dalë edhe një raport tejet i detajuar, i hartuar nga instituti i njohur i pavarur V-Dem, lidhur me ndryshimet e natyrës së autokratizimit në botë gjatë vitit 2022.

Me disa hapa pas, për shkak të pikave të caktuara, sipas raportit, përsëri Shqipëria radhitet ndër vendet me demokracinë më liberale në Ballkanin Perëndimor, duke u lënë pas vetëm nga Kosova, me tre vende.

Në tërësi, në strukturën e ndërtuar nga Instituti V-Dem, ku tregohet indeksi i demokracive liberale dhe gjithë përbërësve të tij, Shqipëria radhitet si vendi i 82-ë në botë, duke e lënë pas gjithë rajonin, përveç Kosovës, e cila radhitet e 79-a.

Krahasimisht me vitin 2021, në pikavarazh, Shqipëria ka një rënie të lehtë, duke shënuar përgjatë një viti luhatje me 0.047 pikë më të pakta të rrokura në pikavarazhin tërësor.

Ku qëndron gjithsesi ideja pas kësaj radhitjeje dhe pse e ka marrë Shqipëria këtë rënie?

E gjitha, në bazë të raportit, lidhet posaçërisht me zhvillimin e një autokracie elektorale, ku duket edhe shigjeta e kuqe për vendin.

Përkundër një viti më parë, kur Tirana zyrtare rreshtohej ndër vendet me demokraci elektorale, këtë vit ajo rreshtohet për nga vendet me autokraci elektorale.

Në rajon, edhe Mali i Zi dhe Serbia, e kanë të njëjtin problem sipas të dhënave të publikuara nga V-Dem.

Në statusin e matjes gjithsesi, përllogaritet edhe larmia e pluralizmit dhe ndarja zgjedhore e votave.

Por, duke qenë se gjatë viteve të fundit, mazhoranca shqiptare ka qenë e padiskutueshme në fuqinë e saj dhe opozita ka bojkotuar shpesh zgjedhje, ose është futur e përçarë, ka krijuar edhe këtë problem madhor të konkurrencës në garë.

Mos-ndryshimi i pushtetit për tre mandate radhazi, bie ndesh me parimet e një demokracie të plotë, mbi të gjitha për vende që hasin edhe probleme të tjera.

I njëjti raport, sugjeron njëkohësisht se polarizimi politik, ka ardhur në rritje, ku sërish Shqipëria është në mesrenditje të shteteve të marra parasysh.

Thënë kjo, ndër vendet me autokraci liberale, sërish vendi gjendet në radhët e atyre që më së pakti e shfaqin fenomenin.

Pra, që nuk e kanë aq të zhvilluar dhe nuk reflektojnë në vetvete një lider autokrat, i cili dhunon të drejtat demokratike në vend.

Përkundër kësaj, Kosova pikërisht në këtë rrafsh i fiton pikët ndaj Shqipërisë, ku me zgjedhje të shpeshta – pjesa më të madhe të parakohshme – e me rotacione të shumta politike, arrin të hyjë në grupimin e demokracive zgjedhore, për herë të parë në raport.

Fjala bie, Serbia renditet në vendin e 111-ë në botë sa i përket gjithë kritereve, me rënie të ndjeshme dhe faktori autokratik, është pikërisht ndër më themelorët në këtë aspekt.

Aty ku Shqipëria bën më mirë ndërkohë dhe ku ka pozicionim e saj më të mirë në ndarje, është pikërisht Indeksi i Demokracisë Liberale, ku merr edhe vendin e 56-ë në botë.

Ky i fundit, merr parasysh 71 indikatorë të ndryshëm, të cilët lidhen me institucionet, lirinë e shprehjes dhe aspektin zgjedhor e garantimin e zhvillimit të drejtë të këtij të fundit.

Në bazë të kësaj, Shqipëria shihet në pikavarazh si një vend që i garanton qytetarëve liritë e tyre dhe është funksional.

Përkundër, Kosova në këtë aspekt shënjohet si e 93-a në botë, duke e mbështetur sërish tezën se ngjitja e saj, lidhet më së shumti thjesht me aspektin zgjedhor e të pluralizmit politik, apo rotacionin e pushteteve.

Edhe sa i përket një indeksi të aspekteve të barazisë dhe pjesëmarrjes aktive në shoqëri, sërish Shqipëria radhitet më mirë se Kosova, tregues ky nga ana tjetër se renditja më e lartë e Kosovës, i falet pikërisht perceptimit të autokracisë elektorale në Tiranë.

E radhitura më keq në tërësi, por edhe në përbërësit singularë në rajon, është Serbia.

Ndërsa, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia, përbëjnë treshen e vendeve me demokracinë më liberale në botë, në bazë të studimit. SHBA-të, rezultojnë vetëm të 29-at.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore