Shqipëria

“Me çfarë do ngrohemi këtë vit në shkolla?”


Me mbi 700 mijë litra lëndë djegëse bazë dhe me mbi 80 milionë lekë fonde të vëna në dispozicion për ngrohjen në objektet arsimore të Tiranës dhe, sërish, nxënësit e këtij qyteti “mbesin pa ngrohje”.

Javën e fundit të janarit, me uljen e temperaturave atmosferike që ka kapluar gjithë Shqipërinë, është rikthyer problemi i kahershëm që diskutohet në mbledhjet mes mësuesve dhe prindërve – ngrohja në klasa.

Bashkia Tiranë për Albanian Post (AP) shpjegon se ngrohja e objekteve shkollore dhe parashkollore gjatë sezonit, i cili fillon më 15 nëntor dhe përmbyllet më 15 mars të çdo viti akademik, bëhet kryesisht me impiante ngrohëse (kaldajë), me lëndë djegëse gazoil ose pellet.

Lëndë djegëse pellet

Ndonëse kjo bashki u siguron objekteve arsimore një sasi prej 237 mijë e 541 litra (l) lëndë djegëse bazë për kaldajat, që funksionojnë me lëndë djegëse gazoil, për vitin 2021, sërish ngrohja mungon.

Këtë e ka konfirmuar edhe mësuesja e klasës së nëntë, pranë Shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”, në Tiranë.

Ajo deklaron se dy kaldajat e vendosura në klasë “nuk punojnë”.

“Nuk ndizen fare se nuk ka gaz”, thotë ajo, duke shtuar se këtë problematikë e ka ngritur pranë zyrës së Drejtorisë së shkollës.

“Kemi kontaktuar drejtorin, por thotë se nuk ka ç’të bëjë”, shprehet mësuesja.

Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës për Albanian Post bën me dije se një fond prej 62 milionë e 500 mijë lekë me TVSH është vënë në dispozicion në lidhje me furnizimin e objekteve arsimore me lëndë djegëse gazoil.

Por, mësuesja, e cila zgjedh të flasë për AP-në në kushte anonimati, jep detaje sesi nxënësit, në shkollën ku punon i mbledhin lekët që ta blejnë vetë ngrohësen, apo “detyrohet” që ta sjellë vetë.

Pavarësisht kësaj “zgjidhjeje”,  drejtori “nuk na lejon t’i vendosim furnelat, pasi ka ngarkesë në rrjetin elektrik të shkollës, duke qenë se i ndezim ngrohëset njëkohësisht te të gjitha klasat”.

Përfaqësuesi i organizatës Qëndresa Qytetare (QQ), Migen Qiraxhi
“Asnjë mësues nuk thotë dot që ka ftohtë”

Që shkollat vuajnë nga mungesa e ngrohjes në klasa, e konfirmon edhe përfaqësuesi i organizatës Qëndresa Qytetare, Migen Qiraxhi, për çka u mbajt edhe një protestë pranë Ministrisë së Arsimit.

Sipas tij, “asnjë mësues nuk thotë dot që ka ftohtë”.

“Nuk do të jetë ftohtë vetëm këto ditë. Askush nuk mund të surprizohet që në muajt janar dhe shkurt bën ftohtë. Kjo Ministri dhe arsimi është kthyer në momentin që e la dhe Migjeni, një kafshatë që nuk kapërdihet”, ka thënë qëndrestari.

Sipas tij, nxënësit marrin dru për të ngrohur klasën, duke e kthyer arsimin “në mision të pamundur”.

“Misioni për mësimnxënie është kthyer në sfidë”, tha ai, “në të gjithë këtë situatë ku vendi ynë ka ministri për të menaxhuar fondet”.

Të enjten e 20 janarit pati njoftim nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi se, për shkak të temperaturave të ulëta, shkollat do të mbyllen tri ditë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi

Përkatësisht më 24-26 janar, procesi mësimor nuk do të zhvillohet.

Fondi i alokuar nga Bashkia Tiranë për ngrohjen

Bashkia Tiranë tha se, çdo fillimsezoni hartohet një plan – shpërndarje e lëndës djegëse naftë dhe pellet në bazë të nevojave të çdo objekti arsimor.

Kjo referuar fuqisë kalorifike dhe normës së konsumit për çdo kaldajë, si dhe kohës së funksionimit të tyre në një ditë, që është tri orë për shkollat dhe katër orë për objektet parashkollore.

Gjithsej janë 85 objekte që funksionojnë me kaldajë me lëndë djegëse naftë, nga të cilat 42 janë objekte shkollore dhe 43 janë objekte parashkollore.

Objektet që funksionojnë me kaldajë me lëndë djegëse pellet janë gjithsej 67 objekte, nga të cilat 41 janë objekte shkollore dhe 26 janë objekte parashkollore.

Kurse, ngrohja me soba me pellet bëhet në 19 objekte arsimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike (DPOP), nga Bashkia Tiranë, ka vënë në dispozicion fondet për blerjen dhe shpërndarjen e lëndës djegëse në funksion të sistemeve të ngrohjes.

Për vitin 2021, janë alokuar 25 milionë lekë me TVSH, për furnizimin e objekteve arsimore me 503 mijë e 277 kilogramë (kg) lëndë djegëse pellet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore