Shqipëria

Me Bashën apo Berishën? Meta: Shkatërrimi i llogaridhënies brenda PD-së


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të premten e 14 janarit, ka deklaruar se thelbi i krizës së demokratëve është “mungesa e vullnetit për të respektuar votën e lirë”.

Sipas tij, çështja “Basha-Berisha”, është “problem i shkatërrimit të llogaridhënies brenda vetë Partisë Demokratike (PD).

“Është e papranueshme të mohohet çdo mekanizëm demokratik zgjidhjeje”, shprehet Meta.

Sipas këndvështrimit të presidentit të vendit “jemi në kushte ku demokracia dhe të gjitha institucionet janë mundur nga kapja e të gjitha segmenteve”, ndërsa shton se “përdorimi i forcës është i papranueshëm” dhe “i dënueshëm”.

Ndërsa ka deklaruar se “Presidenca ka parë dhunë nga të dyja anët”, në protestën e thirrur nga ish-kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha.

Zhvillimet e 8 janarit sollën edhe “shembull pozitiv”, sipas tij, “si dorëheqja e rojës së selisë së PD-së, për të mos qenë dëshmitar i dhunës”.

Theksin e vuri te “ruajtja e qetësisë” dhe “shmangia e dhunës”.

Gjithashtu ka deklaruar se misionin e tij e cilëson si “të përfunduar” që pas 25 prillit, por “ndjen detyrim të respektojë Institucionin e Presidencës”.

“Do të kisha dashur që më 26 prill të kisha marrë një drejtim tjetër”, deklaroi ai.

Protesta e Berishës

Më 8 janar të këtij viti, dhjetëra qytetarë kanë kërkuar largimin e lidership-it zyrtar të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, u nis drejt selisë së Partisë Demokratike me një mision të qartë në mendjen e tij: Të largojë Lulzim Bashën nga kreu i partisë.

Berisha u kërkoi mbështetësve të tij të vetëpërmbahen dhe vetëdeklaroi se protesta që po zhvillohet, “është paqësore”.

Në të vërtetë, pamjet treguan krejt të kundërtën!

Këtë qëllim nuk e kishte vetëm ai, por edhe mbështetësit e ish-kreu të bluve.

I vetmi aspekt kundërshtues midis dy palëve, ishte ai i gjuhës së trupit të Berishës, dhe asaj verbale.

Teksa Berisha thotë se protesta është paqësore, gjestet e tij të qarta, u bënin thirrje mbështetësve të mësyjnë selinë.

Këta të fundit nuk ngurruan t’i binden liderit të tyre, të cilin e kishin rrethuar menjëherë si mburojë në mbërritjen e tij.

Dyert e xhamta ishin sakrifica e parë e godinës. Ato u thyen “pa dhunë” sipas Berishës, duke u hapur vetë.

Fill pas protestës, Policia e Shtetit arrestoi në flagrancë 34 shtetas dhe procedoi penalisht 18 të tjerë, të dyshuar për vepra penale të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore