Lajme

Më 11 shkurt nis rigjykimi ndaj ish-deputetit Ivan Todosijeviç


Ivan Todosijeviç

Pas kthimit të rastit në rigjykim nga ana e Gjykatës Supreme, më 11 shkurt, pritet të dalë sërish para gjykatës ish-deputeti nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviç, i akuzuar për nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, për Betimin për Drejtësi.

Ndryshe, Kolegji i Gjykatës Supreme, vitin e kaluar e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, ku Todosijeviç, ishte dënuar me dy vite burgim nga gjykata e shkallës së parë, vendim të cilin e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.

Njoftimin për këtë e kishte bërë Gjykata Supreme përmes një komunikate për media.

“Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit I.T., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.20/2019 i datës 05.12.2019, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, APS.nr.7/2020 i datës 24.06.2021, dhe çështjen e ka kthyer në gjykatën e shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në komunikatë.

Ndryshe, Todosejviç ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ky dënim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit në gusht të këtij viti.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhej se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se në dispozitivin e aktgjykimit janë përshkuar në tërësi veprimet inkriminuese të cilat formojnë elementet e veprës penale për të cilin ishte shpallur fajtor i akuzuari.

Ndryshe, Todosjeviq kishte qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxituar dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarja dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore