Sport

McGregor dhe Mayweather në bisedime për revanshin?


Conor McGregor dhe Floyd Mayweather thuhet se janë në bisedime për një revansh në boks.

Kanë kaluar pesë vjet që nga koha kur Mayweather i dha superyllit të UFC-së leksion boksi, duke siguruar fitoren në raundin e 10-të.

“Fight Hype” ka raportuar se dyshja është në diskutime për mbajtjen e një ndeshjeje të dytë, me McGregor që shton spekulimet me një postim në mediat sociale.

Irlandezi, i cili nuk ka luftuar për gati një vit që kur pësoi thyerje të këmbës në humbjen ndaj Dustin Poirier, ndau një foto të ndeshjes me Mayweather-in në Instagram të enjten në mbrëmje.

Krahas fotos, ai la të kuptohet se dyshja do përballen edhe një herë, teksa shkruan “Pranoj”.

Fitorja e Mayweather-it kundër “The Notorious” rezultoi të ishte lufta e tij e fundit profesioniste, duke e çuar rekordin e tij në 50 fitore dhe zero humbje ose barazime.

Nga përballja mes tyre, Mayweather fitoi 280 milionë dollarë. Ndërsa për McGregor shkuan 130 milionë.

Ndeshja ishte lufta e parë dhe e vetme e McGregor në boks. Që atëherë ka pësuar tri humbje në katër ndeshjet e tij të fundit në UFC.

Duke folur për “Sky Sports”, ndërsa merrte pjesë në Çmimin e Madh të Monakos në Formula 1, McGregor konfirmoi se synon të kthehet në ringun e boksit në të ardhmen.

“Boksi është dashuria ime e parë në sportet luftarake. Natyrisht, kthimi im do të jetë në tetëkëndësh për UFC. Por, në boks, me siguri që do të jem në katror në të ardhmen”, tha McGregor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore