Bota

McConnell kërkon shtyrjen e gjykimit të Trump-it


Është kërkuar shtyrja e procesit të gjykimit të ish-Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, nga kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell. Ai arsyetoi se Senati ka rregulla se si duhet të veprojë dhe ato duhen zbatuar pavarësisht çdo kërkese emergjente.

Kërkesa e McConnell-it është që procesi të shtyhet për në gjysmën e dytë të shkurtit. Kjo do të ndihmojë që të mos ketë interferim në punën e Senatit, javët e para të presidencës Biden.

Kreu i shumicës demokrate, Chuck Schumer, nuk është tërhequr nga kërkesa. Mazhoranca e Senatit, i lejon demokratëve të ndjekin hapat që duan, pa marrë miratimin e republikanëve.

Ndër arsyet e tjera që senatori republikan listoi, ishte “një proces i ndershëm” ndaj ish-presidentit. “Në lojë janë fakte serioze dhe çështje kushtetuese”, theksoi McConnell.

Si erdhëm në këtë moment?

Kongresi miratoi shkarkimin e dytë të Trump-it, javën e shkuar. Kjo ishte hera e parë në histori, që një president shkarkohej dy herë brenda një mandati nga Kongresi. Në Senat, gjithsesi, kërkesa nuk është miratuar herën e parë.

Por gjatë mandatit të Trump-it, Senatin e kontrollonin republikanët. Me fitoren e dy demokratëve në shtetin e Georgias, kontrolli i kaloi Demokratëve.

Nga ana tjetër, ish-presidenti ka deklaruar se do të përfaqësohet nga avokati Butch Bowers në proces.

Propozimi konkret i McConnell, është që procesi të zgjasë dy javë. Koha e fillimit të afatit është çasti i dërgesës së artikullit për shkarkim nga Kongresi. Data e duhur sipas republikanit për këtë fazë është 28 janari. Dy javë pas kësaj date, mund të nisin diskutimet në Senat.

Demokrati Schumer, po rishikon propozimin e kreut të pakicës. Një takim midis të dyve pritet në ditët në vijim, për zyrtarizimin e fillimit të procesit.

Presidenti Trump është larguar nga detyra tashmë, dhe kërkesa për shkarkim nuk është e mundur. Gjithsesi, ai mund të dënohet për nxitjen e dhunës në Capitol, sipas akuzave të demokratëve./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore