Shqipëria

Mbyllet presidenca e parë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit


Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha

Mbyllja e muajit qershorit shënjoi edhe përfundimin e presidencës së parë një-mujore të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, ku vendi aderon për të parën herë në një mandat të përkohshëm dy-vjeçar.

Të gjithë agjendën e muajit qershor mbi politikat më të rëndësishme botërore, e përcaktoi vendi i vogël ballkanik, ku nuk munguan edhe ngjarjet e mëdha.

Në 30 ditë të mandatit, jo pak gjë u arrit nga delegacioni shqiptar.

Pavarësisht se agjenda merr një sfond global, që prej ditës së parë të presidencës, një zë të veçantë e pati Kosova në retorikën diplomatike shqiptare.

Me kryeministrin Edi Rama fillimisht, më pas me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka e më tej edhe me ambasadorin e përhershëm të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, Tirana zyrtare lëshoi disa herë mesazhe të qarta për njohjen e shtetit të Kosovës si edhe për ndëshkimin e krimeve serbe gjatë luftës.

Këtu, duke bërë edhe një paralelizëm me situatën aktuale të krijuar në Ukrainë.

“Nuk duhet t’i lëmë shkeljet të bëhen normë. Shkelësit duhet të mos kenë vend në botën tonë, ata duhet ta kenë vend pas hekurave, si Sllobodan Millosheviç”.

Kështu do të niste presidenca shqiptare në KS, në fjalët e kryeministrit Rama, gjatë mbledhjes së 2 qershorit.

Vend të veçantë do të zinte edhe agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë, ku sërish në vëmendje e si shembull, delegacioni shqiptar do të sillte vuajtjet e grave në Kosovë, të cilat kanë parë mbi supet e tyre dramat e përdhunimeve e dhunimeve.

Teksa, mbyllja e 30-ditëshit, do të ishte me kauzën më aktuale momentalisht, luftën në Ukrainë, ku Shqipërisë do t’i kërkohej një mbledhje urgjente nga ana e Kievit, për të ndëshkuar sulmin rus në një qendër tregtare, ku të vdekur mbetën 18 persona e të plagosur dhjetëra të tjera.

Pikërisht kështu ndodhi, duke u finalizuar edhe me një deklaratë të përbashkët ndëshkuese të akteve, firmosur nga gjashtë vende, të kryesuara nga Shqipëria.

Një raport i gjatë vjetor u prezantua po ashtu nga ambasadori Hoxha në fillim të marrjes së karriges drejtuese në Këshill.

Ndërsa, drejt mbylljes së kryesimit, Albanian Post zhvilloi edhe një intervistë ekskluzive me diplomatin Hoxha, ku tema kryesore ishte rrugëtimi diplomatik i Tiranës gjatë dhe pas mandatit në KS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore