Shqipëria

Mbyllet dogana e Kakavijës për 24 orë


Dogana e Kakavijës do të mbyllet për 24 orë duke filluar nga dita e mërkurë, më datë 17 shkurt, deri në orën 07:00 të mëngjesit të datës 18 shkurt.

Autoritetet kanë njoftuar se mbyllja do të bëhet për shkak të një greve, e cila do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke, të cilët do të ndërpresin punën.

Sipas njoftimit, gjatë këtij harku kohor, si në hyrje dhe në dalje të doganës greke, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.

Përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla, medikamente dhe automjetetet për raste emergjente.

Dogana Shqiptare i bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj dege doganore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore