Lajme

Mbrotja e Veselit kërkon lirimin e tij nga paraburgimi: Praktikat e Speciales janë alarmante


Kadri Veseli

Mbrojta e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka dorëzuar kërkesën e radhës në Gjykatën Speciale për lirimin e klientit të tij nga paraburgimi.

Sipas turpit mbrojtës të Veselit, për një institucion që supozohet t’u përmbahet standardeve më të larta të të drejtave të njeriut, praktika e aplikuar e paraburgimit ndaj klientit të tyre, përveç që është e mjerueshme, është edhe alarmante.

Për mbrojtjen paraburgimi duhet të jetë përjashtim, jo rregull.

“Praktikat e Dhomave të Specializuara të Kosovës, tregojnë krejt të kundërtën, nëse vendimi i kundërshtuar mbetet në fuqi, një praktikë e tillë do të arrijë një hap më tej, me paraburgimin që do të bëhet rregull absolut, pa përjashtim”, thuhet në kërkesën e tyre.

Tutje, në shkresë ftohet Kolegji i Gjykatës Supreme të deklarojë se paraburgimi i  Veselit tani është bërë i paarsyeshëm dhe se në çdo rast, gjykatat më të ulëta kanë gabuar duke vlerësuar se asnjë masë tjetër alternative, përfshirë mundësinë e arrestit shtëpiak në kushte ekstreme, nuk është e mjaftueshme për të zbutur rrezikun e pengimit

“Një pjesë e konsiderueshme e kësaj çështjeje gjyqësore ka të bëjë me kuptimin e gabuar, nga gjykatat më të ulëta, të rolit të Policisë së Kosovës në procesin e përcaktimit nëse duhet të jepet lirimi i përkohshëm. Ndryshe nga gjykatat dhe tribunalet ndërkombëtare, DhSK është një gjykatë vendase. Policia e Kosovës nuk është organ i një shteti të tretë dhe konceptet si ‘ndërmarrje’ apo ‘garanci’ nuk janë të zbatueshme për të. Në bazë të Ligjit për DhSK-në dhe legjislacionit tjetër të Kosovës, Policia thjesht është e ‘obliguar’ të zbatojë urdhrat gjyqësorë”, thuhet në shkresë të mbrojtjes.

Këtë kërkesë, ata e kanë bazuar në gjashtë argumente.

“Kolegji i Apelit ka shkelur nenin 5(4) të KEDNJ-së duke mos nxjerrë një vendim të shpejtë në lidhje me vazhdimin e paraburgimit të Veselit; Kolegji i Apelit dështoi të mbështesë të drejtën e Veselit për procedurë kontradiktore në lidhje me pretendimet e Bllacës, duke rezultuar në shkelje të neneve 5(3) dhe 5(4) të KEDNJ-së; Kolegji i Apelit nuk i adresoi parashtresat e mbrojtjes nëse incidenti i Lajçit është ende arsye e ‘mjaftueshme’, për qëllimet e nenit 5(3) të KEDNJ-së, kur vlerësohet rreziku që Veseli të pengojë procedurat”, janë tri bazat e para të mbrojtjes së Veselit.

Në bazën e katërt thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake dhe Kolegji i Apelit kanë shkelur nenin 41(12) të Ligjit dhe nenin 5(3) të KEDNJ-së duke vendosur kushte të paarsyeshme dhe joproporcionale lidhur me rrezikun e identifikuar.

Tutje, thuhet se Kolegji i Apelit ka bërë gabim ligjor në vlerësimin e masave shtesë proprio motu dhe se Kolegji i Apelit gaboi në vlerësimin e vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake për proporcionalitetin e paraburgimit.

“Për arsyet e parashtruara më lart, Mbrojtja kërkon që Kolegji i Gjykatës Supreme të pranojë kërkesën, të ndryshojë dhe modifikojë Vendimin e kundërshtuar dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm të  Veselit, të shoqëruar me çdo kusht që  sheh të nevojshëm dhe proporcional; ose në urdhrin alternativ për lirimin e përkohshëm të z. Veseli dhe rikthimin e çështjes vetëm për përcaktimin e çdo kushti që konsiderohet i nevojshëm dhe proporcional”, thuhet në fund të shkresës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore