Lajme

Mbrojtja saudite rrëzon dronin e armatosur drejt Mbretërisë


Tymi pas sulmeve ajrore të drejtuara nga Arabia Saudite në një bazë të ushtrisë në Sanaa, Jemen, më 7 mars 2021. (pamje ilustruese)

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Arabisë Saudite rrëzuan një dron mbi Mbretërinë, të premten e 3 shtatorit.

Këtë e konfirmoi koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen dhe akuzoi luftëtarët Houthi për lëshimin e avionit dhe shënjestrimin e civilëve.

Disa civilë pësuan lëndime të lehta nga mbeturinat kur droni u rrëzua, tha zëdhënësi i koalicionit, koloneli Turki al-Maliki, sipas televizionit shtetëror saudit.

Sipas televizionit arab “Al Arabiya TV”, avioni ishte nisur drejt zonave të banuara në Abha, rreth 230 km (140 milje) në veri të kufirit me Jemenin.

Një inspektim i rrënojave tregoi se droni kishte “karakteristika dhe specifikime iraniane”, tha Maliki.

Lufta civile në Jemen i ka vënë Houthi-t kundër qeverisë së Abd-Rabbu Mansour Hadi që nga fundi i vitit 2014.

Koalicioni, i udhëhequr nga sauditët, ndërhyri në anën e qeverisë së Hadi-t në 2015-ën.

Koalicioni akuzon Iranin për furnizimin e Houthi-t me armë, përfshirë dronët dhe raketat. Irani dhe Houthi-t mohojnë akuzat.

Tensionet mes palëve ndërluftuese janë rritur javët e fundit mbi një marrëveshje paqeje të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara në portin Hodeidah.

OKB-ja po përpiqet të organizojë një tërheqje të të dyjave palëve nga Hodeidah, pika kryesore e hyrjes për shumicën e importeve të Jemenit.

Houthi-t kanë lëshuar dhjetëra raketa në Arabinë Saudite në konfliktin katërvjeçar, i cili shihet gjerësisht si një betejë ndërmjetësuese midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Shumica e raketave janë kapur nga ushtria saudite.

Koalicioni arab i udhëhequr nga Arabia Saudite kritikoi përpjekjet barbare të Houthi-t për të synuar civilët.

Ai theksoi se po merrte masat e nevojshme të operacionit për të mbrojtur civilët nga aktet armiqësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore