Lajme

Mbrojtja e Haradinajt: Trupi gjykues tregoi një qëndrim të njëanshëm në favor të prokurorisë


Ish-Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj.

Në njoftimin për apel të parashtruar nga mbrojtja e Nasim Haradinaj, është thënë se trupi gjykues tregoi një qëndrim tepër të njëanshëm në favor të prokurorisë.

Përmes këtij njoftimi është sqaruar se arsyet e apelimit lidhen me tre kategori kryesore: gabime ligjore (që zhvleftësojnë vendimin) dhe në fakte që ngrenë shqetësime të përgjithshme lidhur me sigurinë e dënimit në lidhje me secilën nga pikat, gabimet ligjore dhe në fakte në lidhje me përcaktimin thelbësor të fajësisë së ankuesit në lidhje me secilën nga pika dhe gabimet faktike të rëndësishme për dënimin.

Sipas mbrojtjes, trupi gjykues ka gabuar duke dështuar në respektimin e parimeve bazë të një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm duke demonstruar një qëndrim tepër të njëanshëm në favor të ZPS-së gjatë gjithë zhvillimit të procedurës.

“Duke përfshirë: i) pranimin dhe vlerësimin e provave të ZPS-së; ii) fushëveprimin e marrjes në pyetje të tërthortë  të dëshmitarëve të prokurorisë; iii) fushëveprimin e marrjes në pyetje të tërthortë të dëshmitarëve të Mbrojtjes; iv) censurimi i referimit të zyrtarëve serbë në seancat publike dhe referimi ndaj materialit tashmë në domenin publik”.

“iv) dështimi për të ruajtur barazinë e armëve; v) dështimi për të parandaluar dhe sanksionuar komentet e pahijshme të ZPS-së gjatë seancave dëgjimore; dhe vi) dështimi për të mbështetur prezumimin e pafajësisë së Ankuesit”, thuhet në shkresë.

Sipas mbrojtjes, asnjë vëzhgues i drejtë dhe i informuar nuk do të arrinte në përfundimin se i pandehuri kishte një gjykim të drejtë, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Tutje, ata kanë pretenduar se trupi gjykues miratoi një qasje kontradiktore në parandalimin e ankuesit nga paraqitja e provave dhe/ose ofrimi i dëshmisë dhe/ose kundërshtimi i provave të paraqitura që lidhen me agresionin serb, ndërsa i dha ZPS-së lirinë për të marrë në pyetje ankuesin dhe dëshmitarët e mbrojtjes për çështjet që lindin nga konflikti.

“Dhe duke vepruar kështu, paragjykoi ankuesin si në aspektin e rastit që ai mund të paraqiste, ashtu edhe në masën në të cilën ai ishte në gjendje të kundërshtonte propozimet e bëra nga ZPS , dhe duke e bërë këtë, demonstroi njëanshmëri. Sipas mbrojtjes, kjo përbën një gabim ligjor duke marrë parasysh mënyrën e zbatimit të tij dhe për rrjedhojë është në kundërshtim me nenin 46(1)(a) të ligjit”, ka pretenduar mbrojtja e Haradinaj.

Aktakuza fillestare kundër Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit ishte konfirmuar më 11 dhjetor 2020, ndërsa publike u bë më 14 dhjetor 2020.

Më 23 qershor 2021, Kolegji i Apelit kishte miratuar, pjesërisht, ankesat e Gucati dhe Haradinaj në lidhje me defektet e pretenduara në formë të aktakuzës andaj urdhëroi që një version i korrigjuar i aktakuzës të ngritët nga Zyra e Prokurorit Special.

Aktakuza e korrigjuar është ngritur më 5 korrik 2021.

Sipas aktakuzës thuhet se së paku nga 7 deri më 25 shtator të vitit 2020, me anë të tre konferencave për shtyp dhe ngjarjeve të tjera të transmetuara, si dhe përmes përhapjes së mëtejshme, Gucati dhe Haradinaj kishin zbulua, pa autorizim, informacione të mbrojtura sipas ligjit të Dhomave të Specializuara, përfshirë detajet identifikuese të dëshmitarëve të caktuar (të mundshëm).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore