Lajme

Mbretëria e Bashkuar përplaset me BE-në për vaksinat Covid-19


Mbretëria e Bashkuar (MB) dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë pasur një përplasje për sa i përket shpërndarjes së dozave të vaksinës anti-Covid.

Kjo erdhi pas deklaratës së Sekretarit të Jashtëm, Dominic Raab, i cili deklaroi se MB-ja kishte ndaluar të gjitha eksportet e vaksinave anti-Covid.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pretendoi se MB-ja kishte bërë një “ndalim të plotë” të eksporteve të vaksinave, të cilat prodhohen në tokën e saj.

Por Raab i është përgjigjur, duke i thënë që pretendimet janë “plotësisht të rreme”. Kështu, një përfaqësues i BE-së është thirrur për “diskutime të mëtejshme”.

Është hera e dytë që nga fillimi i vitit, që MB-ja dhe BE-ja kanë mosmarrëveshje për çështjen e prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave të coronavirusit.

Në janar, BE-ja prezantoi një sistem të ri të kontrolleve mbi eksportet e vaksinave. Ai u ka kërkuar prodhuesve të bëjnë marrëveshje me qeveritë kombëtare për shitjet e planifikuara.

Por, nga ky sistem nisën dhe mosmarrëveshjet e para mes BE-së dhe MB-së. Kjo kishte të bënte me mënyrën e funksionimin të marrëveshjeve tregtare pas Brexit, në lidhje me Irlandën e Veriut.

BE-ja hartoi një rregullore në lidhje me protokollin e Irlandës së Veriut.

Udhëheqësit e bllokut kanë qenë nën presion për shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave Covid-19 në kontinent, krahasuar me MB-në. Aty 22.5 milionë njerëz kanë marrë dozën e tyre të parë.

Në fillim të këtij muaji, Italia bllokoi një dërgesë prej 250 mijë dozash të vaksinës Oxford-AstraZeneca në Australi.

“Nacionalizmi i vaksinave”

Në shënimin e tij të përmbledhur të përjavshëm, Michel, i cili përfaqëson 27 anëtarët e bllokut, tha se u trondit kur dëgjoi që BE-ja akuzohej për “nacionalizmin e vaksinave”, pasi blloku “nuk kishte ndaluar kurrë së eksportuari”.

“MB-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një ndalim të plotë mbi eksportin e vaksinave ose përbërësve të vaksinave të prodhuara në territorin e tyre”.

“Por Bashkimi Evropian, rajoni me kapacitetin më të madh të prodhimit të vaksinave në botë, ka vendosur thjesht një sistem për kontrollimin e eksportit të dozave të prodhuara në BE”.

Raab i ka shkruar Michel-it për të “vendosur një ekuilibër”, duke shprehur shqetësimin se “pretendimi i rremë është përsëritur në nivele të ndryshme brenda BE-së dhe Komisionit”.

“Qeveria e MB-së nuk ka bllokuar eksportin e një vaksine të vetme Covid-19 ose përbërësve të vaksinës. Çdo referencë ndaj një ndalimi të eksportit në MB ose ndonjë kufizim i vaksinave janë plotësisht të rreme”.

“Ne të gjithë jemi përballë kësaj pandemie së bashku”, shtoi ai.

BE-ja është përballur me problemet e prodhimit me tre vaksina kryesore.

Përhapja e vaksinës Pfizer-BioNTech u vonua në disa vende, për shkak të një reduktimi të përkohshëm të dërgesave. Kjo ndodhi për t’i dhënë mundësi Pfizer-it të rrisë kapacitetin në fabrikën e tij të prodhimit në Belgjikë.

Shpërndarja e dozës Moderna gjithashtu hasi në probleme, me Italinë dhe Francën. Të dyja shtetet thanë se po merrnin më pak vaksina nga sa pritej.

Vaksina Oxford-AstraZeneca ka qenë në mungesë edhe brenda BE-së. Me mungesa të prodhimit në fabrikat në Belgjikë dhe Holandë.

MB-ja, e cila pritet të ketë një tepricë të madhe të vaksinave pasi të ketë porositur 400 milionë doza, ka deklaruar se do të dhurojë shumicën e atyre që kanë mbetur për vendet e varfra.

Britania e Madhe, e cila u largua nga BE-ja në janar 2020, është një nga mbështetësit kryesorë financiarë të skemës së Covax. Ajo synon të sigurojë që vaksinat të ndahen në mënyrë të drejtë midis të gjitha kombeve.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se vendet më të pasura duhet të dërgojnë deri në 5% të furnizimeve të tyre aktuale të vaksinave në vendet e varfra.

Deri më tani, MB-ja ka pasur 124 mijë e 797 humbje jete nga Covid-19. 4 milionë e 228 mijë e 998 raste aktive dhe 3 milionë e 315 mijë e 934 raste të shëruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore