Lajme

Mbretëria e Bashkuar nënshkruan marrëveshjen e tregtisë së lirë me Australinë


Për përfitim të konsumatorëve dhe bizneseve, Mbretëria e Bashkuar ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Australinë.

Ajo përcaktohet si marrëveshja e parë pas Brexit-it, e negociuar nga e para dhe jo e mbrujtur nga kushtet tregtare që Britania e Madhe gëzonte teksa ishte në Bashkimin Evropian.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se qeveria pritet të zhbllokojë 10.4 miliardë paund, duke i dhënë fund tarifave për të gjitha eksportet e Mbretërisë së Bashkuar.

Megjithatë, disa fermerë kanë shprehur shqetësimin se mund të nënvlerësohen nga importet e lira.

Për qeverinë, marrëveshja pritet të nxisë ofertën e Mbretërisë së Bashkuar për t’u bashkuar me Partneritetin Trans-Paqësor, një nga zonat më të mëdha të tregtisë së lirë në botë.

Ndërkaq, për Australinë kjo është kontrata e dytë më e madhe tregtare me një vend tjetër. Dhe ka shprehur vlerësimin për realizimin e saj.

“Është një marrëveshje vërtet historike…një marrëveshje e vërtetë e tregtisë së lirë. Të gjithë fitojnë”, ka thënë ministri australian i tregtisë, Dan Tehan.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua në një ceremoni virtuale nga Sekretarja e Tregtisë Ndërkombëtare Anne-Marie Trevelyan, do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

Trevelyan e ka përshkruar atë si “një moment historik në marrëdhëniet historike dhe jetike midis dy kombeve të Commonwealth-it”.

Në një intervistë për “BBC”, ajo i ka hedhur poshtë sugjerimet se marrëveshja do të dëmtonte fermerët në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas saj, marrëveshja ka “mbrojtje shumë të qarta” dhe “kuota të qarta tarifore në 10 vitet e para”, si dhe “një mekanizëm mbrojtës gjithëpërfshirës”.

Në Australi, marrëveshja eliminon tarifat për 99 për qind të eksporteve të saj dhe e bën më të lehtë për australianët të jetojnë dhe të punojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu do të ndihmojë në rritjen e shitjeve të verës, viçit dhe sheqerit të Australisë. Këto mallra janë bojkotuar nga Kina, tregu kryesor i eksportit të Australisë, për shkak të tensioneve të fundit politike.

Një marrëveshje e tregtisë së lirë synon të inkurajojë tregtinë, duke e bërë atë më të lirë. Kjo shpesh arrihet duke ulur ose eliminuar tarifat, taksat ose tarifat nga qeveritë për tregtimin e mallrave përtej kufijve.

Marrëveshjet tregtare synojnë gjithashtu heqjen e kuotave, të cilat janë kufizime në sasinë e mallrave që mund të tregtohen.

Tregtia gjithashtu mund të bëhet më e thjeshtë nëse vendet kanë të njëjtat rregulla. Sa më afër të jenë rregullat, aq më pak ka gjasa që mallrat të kenë nevojë të kontrollohen.

Ndër pikat kryesore të marrëveshjes të listuara nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është aksesi i firmave për të ofruar një ofertë shtesë prej 10 miliardë paund të kontratave të sektorit publik australian në vit.

Ndërkohë, të rinjtë lejohen të punojnë dhe të udhëtojnë në Australi deri në tre vjet, duke hequr rregullat e mëparshme të vizave

Kurse profesionistëve të Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë arkitektë, shkencëtarë, studiues, avokatë dhe kontabilistë, u jep akses në vizat e punës australiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore