Lajme

Mbretëria e Bashkuar ka pranuar më pak ukrainas sesa shumica e Evropës


Mbretëria e Bashkuar ka pranuar më pak refugjatë ukrainas për frymë nga të gjithë.

Përveç njërit prej 28 vendeve evropiane.

Kështu ka zbuluar një analizë e “The Guardian”, përcjell Albanian Post, e shifrave zyrtare nga i gjithë kontinenti.

Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), shtatë milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për në vendet e tjera evropiane që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt.

Në MB, deri më 29 maj, kanë mbërritur 65 mijë e 700 ukrainas, ekuivalente me rreth dhjetë refugjatë për dhjetë mijë banorë.

Që nga 11 maji, 720 mijë refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Gjermani, e cila ka një popullsi të përmasave të ngjashme, me 87 për dhjetë mijë banorë.

Kurse Franca është i vetmi vend evropian me një shifër afërsisht të barabartë për frymë me atë të MB-së, pak më shumë se 57 mijë e 500 të ardhur që nga 25 maji, ose nëntë refugjatë për dhjetë mijë banorë.

Disa vende shumë më të vogla për nga popullsia, duke përfshirë Austrinë, Republikën Çeke dhe Bullgarinë kanë pranuar shumë më tepër refugjatë në terma absolute dhe relative, sipas qeverive të tyre.

Kështu, Bullgaria ka qenë destinacioni fillestar për më shumë se 290 mijë njerëz që ikën nga lufta, që barazohet me 423 për dhjetë mijë banorë.

Vendet në kufi me Ukrainën kanë pranuar edhe më shumë.

Të dhënat e UNHCR-së tregojnë se, pesë milionë refugjatë kanë hyrë në Poloni, Rumani dhe Hungari.

Polonia ka pranuar shkallën më të lartë të refugjatëve ukrainas nga çdo vend i BE-së, duke marrë 957 refugjatë për dhjetë mijë banorë.

Shifrat nxjerrin në pah kufizimin e skemave të MB-së, aplikantët në të cilat janë drejtuar që të presin për dhënien e vizave përpara se të udhëtojnë.

Këto skema janë kritikuar gjerësisht për vonesat e gjata të përjetuara nga shumë aplikantë.

Qindra familje ukrainase kanë zgjedhur të tërheqin aplikimet e tyre për të shkuar në MB për shkak të këtyre vonesave, sipas një raporti të fundit të “Observer”.

Vendi ka, po ashtu, një rezultat të dobët në krahasim me vendet që publikojnë vetëm numrin e kërkesave për mbrojtje ose azil.

Danimarka dhe Finlanda kanë marrë afërsisht dy herë më shumë aplikime se sa skemat e vizave në MB për frymë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore