Lajme

Mbretëria e Bashkuar duhet të financojë vendet e varfra për veprimet klimatike, thonë britanikët


Në Mbretërinë e Bashkuar, një shumicë e konsiderueshme e njerëzve mendojnë se vendi ka përgjegjësinë për të paguar për veprimet klimatike në vendet më të varfra dhe të cenueshme.

Të paktën kështu ka rezultuar nga një sondazh i opinionit publik.

Çështja e vendeve të pasura dhe ndotëse që ofrojnë fonde të konsiderueshme për vendet në zhvillim është thelbësore për samitin e klimës Cop27 të OKB-së në Egjipt.

Sipas ekspertëve, pa rrjedhën e shumë miliarda dollarëve për të ndihmuar në uljen e emetimeve dhe përballimin e ndikimeve gjithnjë e më të rënda mjedisore, nuk do të ketë besimin e nevojshëm për veprimin e kombinuar global që kërkohet për të mposhtur krizën.

Nga rezultatet ka dalë se 49 për qind e njerëzve mendojnë se Mbretëria e Bashkuar ka përgjegjësi për të ofruar financim për klimën.

Kurse 31 për qind prej tyre kanë thënë se vendi nuk e bënte këtë. 20 përqindëshi tjetër ka thënë se nuk e dinin.

Sakaq, rezultatet ishin të ngjashme për votuesit konservatorë, laburistë dhe demokratë.

Megjithatë, ata të moshës 18 deri në 34 vjeç kanë treguar mbështetje shumë më të fortë për pagesat për klimën për vendet e cenueshme, me 65 për qind në favor, sesa ata të moshës 65 deri në 74 vjeç, nga të cilët vetëm 37 për qind ishin pro.

Sondazhi u krye nga Omnisis për “The Guardian”, afër mesit të Cop27.

Një shumicë e konsiderueshme e njerëzve kanë thënë se veprimet për të ndaluar urgjencën klimatike do të ishin të mira për ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar.

Kurse 38 për qind e tyre kanë mbrojtur tezën se do të ishte keq për ekonominë.

Shumica e njerëzve (53%) nuk mendonin se Cop27 do të përshpejtonte veprimin ndaj krizës klimatike. Vetëm 29 për qind e tyre e mbronin këtë ide.

Po ashtu sondazhi ka zbuluar se më pak njerëz (34%) e mbështesin një ndalesë të zhvillimeve të reja të naftës dhe gazit.

Kishte një ndarje nga pikëpamja politike dhe mosha, me konservatorët dhe votuesit më të vjetër që kundërshtonin qartë një ndalim, ndërsa laburistët dhe votuesit më të rinj që mbështesin një të tillë.

Qeveria konservatore është kritikuar për ofrimin e licencave të reja të kërkimit të naftës dhe gazit.

Vetëm 24 për qind e publikut kanë thënë se Rishi Sunak po tregonte lidership në krizën klimatike, me 47 për qind që kanë thënë se ai nuk ishte i tillë.

Në total, të rinjtë janë shfaqur dukshëm më shumë në favor të veprimit klimatik sesa të moshuarit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore