Sport

Mbretëresha Ilire kundër Heroit Kombëtar, ja si hapet java e 19 e Kategorisë Superiore


Java e 19 e Kategorisë Superiore të Shqipërisë do të hapet të premten me sfidën Teuta kundër Skënderbeut. Sfidë e cila do të luhet në “Niko Dovana” duke filluar nga ora 16:00, dy orë më herët nga çfarë ishte parashikuar, për shkak të masave të reja mbi Covid-19.

Ekipi i Edi Martinit është në gjendje optimale dhe ka vetëm dy mungesa, Sebino Plakun dhe Denis Pjeshkën. Të dy lojtarët nuk janë rikuperuar 100% dhe po stërviten veçmas grupit.

Korçaret pritet të shkojnë në Durrës pa Leard Sadriun dhe  pa golashënuesin kryesor Alfred Mensah-un.

Momentalisht durrsakët janë më të favorizuar në renditje, duke qenë në vendin e katërt me 30 pikë, po aq sa dhe Laçi i vendit të dytë. Skënderbeu renditet në vend të parafundit me 12 pikë, po aq sa Bylisi i vendit të fundit.

Në pesë ndeshjet e fundit në kampionat Teuta ka tre fitore, një barazim dhe një humbje, ndërsa Skënderbeu ka tre humbje dhe dy barazime.

Teuta në 18 javët e para në Superiore ka shënuar 17 gola dhe ka pësuar tetë, duke patur mbrojtjen më të fortë në kampionat. Skënderbeu ka shënuar 18 gola dhe ka pësuar 38, duke patur mbrojtjen më të dobët të kampionatit.

Në ndeshjet si ekip pritës, Teuta ka arritur dy fitore dhe shtatë barazime. Skënderbeu si ekip udhëtues ka arritur një fitore, tre barazime dhe pesë humbje.

Ndeshja e fundit midis dy ekipeve, e luajtur për llogari të fazës së parë të Superiores, përfundoi me rezultatin 1-3 për durrsakët. Golat për Teutën u shënuan nga dy ish, Dejvi Bregu dhe Blerim Krasniqi, dhe goli i tretë erdhi nga Emiljano Vila. Për korçarët shënoi golin e vetëm Belajdi Pusi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore