Përballje

Mbrëmja e së martës vjen me ndeshje interesante në kualifikimet e Kampionatit Botëror


Pas pushimit një-ditor, këtë të martë rikthehen ndeshjet evropiane të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Përballja më interesante pritet të jetë ajo mes Holandës dhe Turqisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Johan Cruijff Arena” të Amsterdamit, me fillim nga ora 20:45.

Dyja ekipet vijnë në këtë përballje pas fitoreve në dy ndeshjet e fundit, ku Holanda mposhti Malin e Zi me rezultat 4:0, ndërsa Turqia e mposhti Gjibraltarin në udhëtim 0:3.

Sa i përket renditjes, Turqia aktualisht i prin Grupit H me 11 pikë, e ndjekur nga Holanda me një pikë më pak.

Vlen të ceket se kjo është përballja e dytë në grup e këtyre dy kombëtareve, derisa atë të parën e fituan turqit me shifrat 4:2.

Ndeshje tjetër interesante pritet të jetë ajo mes Francës dhe Finlandës.

Kampioni në fuqi i botës, vjen në këtë sfidë pas dy rezultateve jo aq të mira, pasi që në dy ndeshjet e këtij muaji barazuan 1:1 ndaj Bosnjës dhe Ukrainës.

Pavarësisht formës në ndeshjet e fundit, Franca përsëri mban vendin e parë të Grupit D me nëntë pikë, e ndjekur nga kundërshtari i sotëm Finlanda me pesë.

Përballje me interes, pritet të jetë edhe ajo mes Danimarkës dhe Izraelit.

Dyja kombëtaret vijnë në këtë sfidë pas formës të mirë në dy ndeshjet e fundit, ku Danimarka mposhti Ishujt Faroe dhe Islandën, kurse Izraeli triumfoi ndaj Austrisë dhe Ishujve Faroe.

Danimarka aktualisht është lider i Grupit F me pikë të plota, ku pas pesë ndeshjeve kanë 15 pikë, ndërsa në vendin e dytë është Izraeli me 10 pikë.

Edhe sfida Kroaci – Slloveni pritet të jetë interesante.

Kroatët vijnë në këtë përballje pas fitores ndaj Sllovakisë në udhëtim dhe barazimit pa gola kundër Rusisë, derisa Sllovenët në dy ndeshjet e fundit kanë fituar me Maltën dhe kanë barazuar me Sllovakinë.

Sa i përket renditjes, Kroacia është në vendin e dytë me 10 pikë, aq sa ka edhe Rusia e vendit të parë, derisa Sllovenia është në vendin e tretë me shtatë pikë.

Të gjitha ndeshjet e mbrëmjes së martë në kualifikimet e Kupës së Botës do të fillojnë në ora 20:45, përveç asaj mes Azerbajxhanit dhe Portugalisë që fillon në ora 18:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore