Shqipëria

Mblidhet Kuvendi, raportojnë 4 institucione


Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet paraditen e 24 qershorit, në një ndër seancat e fundit për këtë legjislaturë, ku përtej shqyrtimit të projektligjeve, do të raportojnë edhe katër institucione të rëndësishme përpara ligjvënësve shqiptarë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, do të raportojnë punën e tyre vjetore.

Interes të lartë ka, për të ndjekur raportin nga komisioneri i zgjedhjeve. Kjo, duke qenë se Shqipëria ka parë të mbahen ato të 25 prillit, ku fituese u shpall Partia Socialiste.

Në rend dite do të jetë edhe një dekret i presidentit Ilir Meta, për kthimin e ligjit të sektorit minerar.

Një ndër projektligjet e shqyrtuar ndërkaq, do të jetë edhe ai i kontratës së pestë të vaksinave me kompaninë Pfizer.

Pushimet e verës do t’i paraprijnë më pas shtatorit. Në vjeshtë, Parlamenti do të ketë një fytyrë tërësisht të ndryshuar nga kjo e dy vjetëve të fundit.

Opozita rikthehet në sallë dhe po ashtu, në mazhorancë, një pjesë e mirë e grupit parlamentar socialist ka ndryshuar.

Deputetët e “opozitës parlamentare” aktuale ndërkohë, nuk do të jenë më pjesë e ligjvënësve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore