Lajme

Mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB-së – Kosova temë diskutimi


Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara këtë të martë do të mbahet mbledhja e radhës për Kosovën, ku do të diskutohet për raportin e periudhës nga shtatori 2020 deri në mars 2021.

Seanca e kryesuar nga Vietnami do të zhvillohet në formatin video për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pritet që të diskutohet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë, themelimin e institucioneve dhe aktakuzat nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Kurse, Kosovës dhe Serbisë pritet t’i bëhet thirrje për vazhdimin e dialogut në Bruksel.

Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres mbi punën e UNMIK-ut përfshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, të mbajtura me 14 shkurt.

Mes tjerash, raporti thekson se këto ngjarje e kanë ngadalësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë me ndihmën e Bashkimit Evropian.

Sipas këtij raporti, paqja e qëndrueshme, stabiliteti dhe zhvillimi socio-ekonomik në Kosovë dhe rajon varen nga progresi i qëndrueshëm në dialog që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore