Libra

“Mbinjeriu” i Nietzsche-s


“Më mirë për shoqëritë është që të shuhen, se sa të mos prodhojnë njerëz të mëdhenj”, Friedrich Nietzsche.

Morali, sipas filozofit më tonik në historinë perëndimore, Friedrich Nietzsches, nuk është mirësia, butësia, dhembshuria e solidariteti, emocione këto të panevojshme në reflektimin moral të këtij filozofi, por fuqia dhe vullneti për fuqi.

Qëllimi përfundimtar i shoqërisë nuk është të përmirësohen “të gjithë njerëzit”, por të zhvillohen dhe kultivohen individët e jashtëzakonshëm. Njerëzimi nuk është qëllimi; qëllimi është Mbinjeriu.

Aspekti i tërësisë në pikturën Nietzscheane i ngjan më shumë një dyqani eksperimental ku disa gjëra funksionojnë mirë në një kohë, kurse të tjerat janë vetëm për konsum, dhe se qëllimi përfundimtar i asaj prodhimtarie është përmirësimi i llojit, i nxjerrjes së një produkti më të mirë, e jo shumë produkte mesatare.

Shoqëria është intrumentale, qëllimi i së cilës është prodhimi i individëve me aftësi të larta. Mirëpo, Nietzsche besonte që natyra është më e ashpër me prodhimet e saja më të mira, dhe se ajo e ruan mediokritetin, kurse atyre më të mirëve u sjell mundime.

Ai mendon se individët e lartë, më të mirët, as nuk duhet të lihen të martohen me dëshira dashurie – përkundër mësuesit të tij të parë, Arthur Schopenhauerit, që mendonte që eugjenika, ose kryqëzimi selektiv më i mirë, është dashuria, pasi thirrja e pavetëdijshme biologjike bën që njeriu të bie në dashuri me një tip ose lloj të caktuar mashkulli/femre, pikërisht për ruajtjen ose ngritjen e cilësive bio-fizike të species.

Formula tjetër, përveç kryqëzimit selektiv të individëve të rrallë, sipas Nietzsches, është një shkollim i ashpër, ku përsosmëria e aftësive është qëllimi kryesor. Një shkollim i cili jep pak rehati e shumë përgjegjësi. Ku trupat mësohen të vuajnë në qetësi, ku mësohen të urdhërojnë dhe të binden. Jo liri, por mbijetesë të vlefshme. Pa moral degradues religjioz, pa mohim të vullnetit natyror, por t’i thonë PO! Jetës.

Një njeri i tillë sipas Nietzsches do të ngritej mbi të mirën dhe të keqen. “Çka është e mira? Të jesh i guximshëm është mirë. Çka është e keqe? Gjithçka që vjen nga dobësia”. Çka e bën Mbinjeriun e Nietzsches karakteristik, është dashuria e tij për betejën dhe rrezikun. Ai nuk kërkon rahati e siguri. Ai nuk synon pas lumturisë, por pas veprës së tij.

Energjia, intelekti, karakteri – këto janë shenjat e Mbinjeriut. Por këta duhet të jenë të ekuilibruara me njëra tjetrën. Të gjitha pasionet, edhe ato më të vrullshmet, janë të vlefshme kur i nënshtrohen një qëllimi të lartë, dhe fisnik, sipas fisnikërisë së Nietzsches, sigurisht.

Nietzsche mendon se të gjithë duhet të jemi shërbëtorë ose instrumentë të Mbinjeriut. Vetëm duke synuar njerëz të tillë jeta jonë do të ketë kuptim dhe përpjekjet tona nuk shkojnë dëm.

“Njeri që nuk dëshiron të jetë pjesë e masës, thjesht duhet të ndalojë së qenit i butë me veten”, shkruan Nietzsche.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore