Aplikacione

Mbikëqyrësi francez, vendim për Google-in mbi të drejtat e autorit


Në Francë, mbikëqyrësi antitrust në ditët në vijim do të marrë një vendim lidhur me mënyrën se si Google-i mbajti bisedime për të drejtat e autorit me disa botues francezë në lidhje me pagimin e përmbajtjes së lajmeve.

Kështu ka bërë me dije shefja e vëzhguesit francez, Isabelle de Silva, të enjten e tetë korrikut.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se hetuesit e antitrustit kanë akuzuar Google-in për mosrespektimin e urdhrave të autoritetit shtetëror të konkurrencës se si të zhvillohen negociata me botuesit e lajmeve mbi të drejtat e autorit.

Kjo ka ardhur pasi disa botues u ankuan se bisedimet nuk ishin bërë me “mirëbesim” dhe se Google-i nuk siguroi qasje në disa nga të dhënat e trafikut për të përcaktuar një shpërblim për përmbajtjen e lajmeve në internet.

Ndërkohë, Google-i ka thënë vazhdimisht se ka zhvilluar bisedime me mirëbesim.

Sipas një marrëveshje tre-vjeçare të nënshkruar nga Google-i dhe Alliance de la presse d’information generale (APIG), një grup lobimi që përfaqëson shumicën e botuesve kryesorë francezë, Google-i ra dakord të paguante në janar një total prej 76 milionë dollarë për 121 botime.

Marrëveshja rezulton të jetë një nga ofertat e profilit më të lartë nën programin “News Showcase” të Google-it për të siguruar kompensim për fragmentet e lajmeve të përdorura në rezultatet e kërkimit dhe njëkohësisht e para e këtij lloji në Evropë.

Burimet për Reuters kanë thënë se asnjë marrëveshje individuale e licencimit nuk është nënshkruar nga Google-i me një anëtar të APIG që nga ajo kohë dhe bisedimet janë de fakto të ngrira në pritje të vendimit të antitrustit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore