Shëndet

Mbidozat e vitaminës D, nuk trajtojnë COVID-19


Dozat e larta të vitaminës D nuk mund të parandalojnë apo trajtojnë COVID-19. Aktualisht nuk ka prova të mjaftueshme shkencore për të treguar se vitamina D mund të jetë e dobishme në parandalimin ose trajtimin e COVID-19, thonë studiuesit.

Pas raportimeve të pa verifikuara që doza të larta të vitaminës D mund të zvogëlojnë rrezikun e kontraktimit të COVID-19, shkencëtarët, përfshirë ata nga Universiteti i Mançesterit, vlerësuan bazën aktuale të provave shkencore mbi përdorimin e vitaminës në trajtimin e infeksioneve.

“Derisa të ketë prova më të forta shkencore për vitaminën D, ne jemi kundër përdorimit të suplementeve të larta të saj”, shkruajnë shkencëtarët në një raport, botuar në revistën BMJ Nutrition, Prevention and Health.

Raporti vuri në dukje se vitamina D është një hormon, i prodhuar në lëkurë gjatë ekspozimit ndaj rrezeve të diellit. Ajo ndihmon në rregullimin e sasisë së kalciumit dhe fosfatit në trup. Këto minerale, sipas studiuesve, janë të nevojshme për të mbajtur të shëndetshëm kockat, dhëmbët dhe muskujt.

Ata shprehen kundër marrjes së tepërt të vitaminës, pa mbikëqyrje mjekësore, për shkak të rreziqeve shëndetësore.

“Pohimet në lidhje me përfitimin e vitaminës në trajtimin e virusit aktualisht nuk mbështeten nga studime”, thanë ata.

Aktualisht nuk ka ndonjë lidhje të fortë midis marrjes së vitaminës D dhe rezistencës ndaj infeksioneve të traktit respirator.

“Pjesa më e madhe e vitaminës D vjen nga ekspozimi në rrezet e diellit, megjithatë për shumë njerëz, veçanërisht ata që janë vetë-izoluar me qasje të kufizuar në rrezet e diellit gjatë pandemisë aktuale, marrja e mjaftueshme e vitaminës D mund të jetë një sfidë e vërtetë,” shprehet bashkautori i studimit Carolyn Greig nga Universiteti Birmingham në MB./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore