Kosova

Mbi 800 pacientë janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës


Në spitalet e përgjithshme të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë duke u trajtuar 829 pacientë me COVID-19.

“Sipas raportit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, 684 raste janë të konfirmuara me Sars-COV-2, 41 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 656 janë nën asistim të oksigjeno-terapisë”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Duke u bazuar në këtë raport, në QKUK janë të shtrirë 348 pacientë, ku 295 raste janë të konfirmuara me COVID-19, 19 persona janë në gjendje të rënduar dhe 297 me oksigjeno-terapi.

Në bazë të statistikave të këtij raporti, klinika më e frekuentuar me pacientë të infektuar me Coronavirus është klinika infektive, me gjithsejtë 114 pacientë, kurse në radhë të dytë renditet klinika e Pulmologjisë me gjithsejtë 81 pacientë të infektuar.

“Numri i pacientëve të shtirë, sipas klinikave: klinika infektive, 114 pacientë, klinika infektive II (mjekësia sportive), 66 pacientë, klinika infektive III (interno), 51 pacientë, klinika e pulmologjisë, 81 pacientë, klinika e gjinekologjisë, tri paciente, mjekimi intensiv-COVID-19, 21 pacientë dhe klinika e pediatrisë me 12 pacientë”, njofton SHSKUK.

Ndërkaq në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 481 pacientë, ku 389 raste janë të konfirmuara pozitivë, 22 raste janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 359 raste me oksigjeno-terapi.

Ndërkohë spitali i komunës së Prizrenit spitali më i ngarkuar me pacientë të infektuar me COVID-19, ku gjithsejtë 109 pacientë të shtrirë, duke lënë pas spitalin e Pejës me 93 persona të shtrirë.

“Numri i pacientëve të shtrirë, sipas spitaleve të përgjithshme, spitali i Prizrenit me gjithsejtë 109 pacientë, spitali i Gjakovës me67  pacientë, spitali i Pejës me 93 pacientë, spitali i Gjilanit me 81 pacientë, spitali i Ferizajt me 64 pacientë, spitali i Mitrovicës me 46 pacientë dhe spitali i Vushtrrisë me 21 pacientë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore