Kosova

Mbi 70 afganë nisen nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës


Afganët gjatë largimit të tyre nga Kosova.

Ministria e Punëve të Brendshme, ka bërë të ditur se janë larguar nga Kosova edhe 79 afganë.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se afganët janë nisur tashmë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Sot i përcollëm 79 miqtë tanë afganë që u larguan nga Kosova për në SHBA këtë mëngjes”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndërsa, theksohet se po vazhdon puna ndaj afganëve dhe sigurimit të tyre.

“Ne po punojmë me partnerin tonë @USEmbPristina, për t’u siguruar që mysafirët tanë në Camp Liya, të kalojnë sa më mirë derisa janë në vendin tonë dhe të jenë në gjendje të fillojnë jetën e tyre të re sa më shpejt të jetë e mundur në Amerikë”.

Afganët gjatë largimit të tyre nga Kosova.

“Mirupafshim dhe ju dëshirojmë gjithë të mirat duke shpresuar të dëgjojmë përsëri nga ju”.

Ndërkaq, më 6 dhjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Amerikës në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, ka vizituar qytetarët afganë, që po qëndrojnë në kampin amerikan Bondsteel.

Ndryshe, më 16 shtator mbi 100 afganë janë nisur nga Kosova për Britaninë e Madhe.

Më 19 shtator janë larguar edhe 51 shtetas afganë nga Kosova.

Afganët gjatë largimit të tyre nga Kosova.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e veriut, në Kosovë, afganët kanë rregulla strikte të lirisë së lëvizjes, ata nuk e kanë të lejuar të dalin nga kampet ku janë vendosur.

Në Kosovë të strehuar kanë qenë 683 shtetas afganë.

Ambasada britanike kishte falënderuar dhe ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës.

Grupi i parë i afganëve në Kosovë kishte arritur më 29 gusht, ku raportohej të ishte një grup prej 111 personave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore