Euro 2020

Mbi 60 mijë tifozë do të marrin pjesë në “Wembley” në gjysmëfinalet dhe finalen e “Euro 2020”


Pavarësisht zërave se gjysmëfinalet dhe finalja e Kampionatit Evropian, do të zhvendosen në ndonjë tjetër stadium, UEFA mbetet e vendosur që “Wembley” të jetë vendtakimi i tri ndeshjeve më të mëdha të “EURO 2020”.

Qeveria e Britanisë së Madhe, ka dhënë dritën jeshile stadiumit të “Wembley”-t që të operojë me 75 për qind të kapacitetit të stadiumit, që do të thotë se më shumë se 60 mijë tifozë do të jenë të pranishëm në ato ndeshje, thuhet në njoftimin e UEFA-s.

Megjithatë, të gjithë tifozët që do të hyjnë në stadium, duhet ta kenë dëshminë se kanë marrë dy dozat e vaksinës, ose një test negativ jo më të vjetër se 14 ditë.

Edhe presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin e ka mirëpritur këtë lajm duke thënë: “Është një lajm i mrekullueshëm, që kaq shumë tifozë do të ndjekin në stadium ndeshjet e fundit të ‘Euro 2020’”, thotë i pari i UEFA-s.

Gjysmëfinalet e Evropianit do të zhvillohen me 6 dhe 7 korrik, derisa finalja e madhe do të luhet me 11 korrik, atëherë kur kufizimet e Coronavirus-it do të jenë ende të pranishme në Britaninë e Madhe.

Kujtojmë që Kampionati Evropian, tani më është në fazën e fundit të grupeve dhe të shtunën do të fillojë faza e 1/8-ve të finales, me dy duelet që tashmë janë mësuar: Uells – Danimarkë, si dhe Itali – Austri.

Derisa përveç tyre, kualifikimin e kanë siguruar Zvicra, Belgjika, Holanda, Republika Çeke, Anglia, Suedia dhe Franca.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore