Shqipëria

Mbi 6 milionë lekë për Qendrën e Azilkërkuesve në Shqipëri


Qeveria shqiptare ka miratuar fondin prej 6 milionë e 700 mijë lekësh për Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkues (QKPA).

Sipas Vendimit nr. 499, për miratimin e rishpërndarjes së fondeve brenda programeve buxhetore të Ministrisë së Brendshme, të publikuar në Fletoren Zyrtare, ky fond do të përdoret për “Rikonstruksion të godinës së QKPA-së”, me qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkues në Tiranë.

Gjithashtu, qeveria i ngarkon QKPA-së që të marrë masa të menjëhershme në funksion të rikonstruksionit të godinës, për shkak të emergjencës së krijuar nga kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare.

Më herët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se Shqipëria do të mirëpresë bashkëpunëtorët afganë të qeverisë amerikane, në 20 vjet luftime në Kabul.

“Nuk e ka shqiptaria një histori më të lavdishme për botën, se sa marrja në mbrojtje e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Ky është paralelizmi që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë në lidhje me situatën e krijuar në Afganistan, ku përflitet se Shqipëria do të strehojë disa prej bashkëpunëtorëve afganë.

Ndër të tjera, Rama rikujton edhe strehimin që iu bë muxhahedinëve në Shqipëri, me kërkesë të SHBA-ve. Mbi 2 mijë prej tyre gjetën strehim në Shqipëri, në atë që Rama e cilëson si një ngjarje që “vetëm nder i bën Shqipërisë”.

Situata e afganëve

Nisja e grupit të qytetarëve afgan drejt Shqipërisë po mbahet pezull, si pasojë e situatës kaotike në aeroportin e Kabulit.

Kështu bënë me dije burimet nga Zëri i Amerikës mbi situatën aktuale në Kabul.

Pritej që avioni të ishte nisur nga kryeqyteti afgan në orën 13:00 të mërkurës së 18 gushtit, për të mbërritur në Shqipëri pasdite, por sërish ka qenë e pamundur.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila është koordinatore e operacionit humanitar në ndihmë të shtetasve afganë, në një takim me drejtuesit e strukturave të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit dhe të Policisë Kufitare, është shprehur se situata po mbahet nën kontroll në bashkëpunim me aleatët.

Ajo theksoi se janë marrë të gjitha masat, kurdo që të mbërrijë avioni i parë.

Mbërritja e afganëve në Shqipëri

Tirana, Durrësi dhe Berati do të jenë qytetet, të cilët do të mirëpresin emigrantët afganë.

Siç e ka bërë me dije më herët kryeministri Edi Rama, pjesë e të ardhurve do të jenë aktivistë, gra, gazetarë, arsimtarë dhe persona që kanë ndihmuar Ushtrinë e SHBA-ve, gjatë misionit në Afganistan.

Ata do të transferohen së bashku me familjet e tyre.

Ai ka pohuar, po ashtu, se ideja është për një strehim të përkohshëm të tyre në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo, deri në çastin kur atyre t’u sigurohen vizat për të shkelur në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore