Sport

Mbetet i vdekur një mjek i FIFA-s pas skandalit në stadiumin e Nigerisë


Një mjek i FIFA-s vdiq në detyrë gjatë ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës të së martës që u zhvillua mes Nigerisë dhe Ganës.

Pas përfundimit të kësaj ndeshjeje, tifozët nigerianë hynë në fushë, të cilët shkatërruan gjithçka në shenjë pakënaqësie për mos-kualifikimin e kombëtares së tyre në Kupën e Botës.

Gjatë mëngjesit të së mërkurës, Federata e Zambisë konfirmoi se mjeku, Joseph Kabungo, i cili po vepronte si oficer dopingu në ndeshjen për Konfederatën e Futbollit Afrikan, kishte vdekur gjatë punës.

Në një deklaratë të tyre thuhej: “Shoqata e Futbollit të Zambisë i bashkohet pjesës tjetër të familjes së futbollit në zi për të ndjerin Dr Joseph Kabungo”.

“Dr Kabungo, një oficer mjekësor i CAF/FIFA-s ishte në detyrë në Abuja për ndeshjen e dytë kualifikuese të Kupës së Botës mes Nigerisë dhe Ganës”, thuhet më tej në njoftim.

Mirëpo, shkaku i vdekjes së mjekut nuk u bë i ditur nga zyrtarët e Federatës së Zambisë.

“Ne kemi parasysh se është shumë herët për t’u ndalur në shkakun e vdekjes së tij, por do të presim raportin e plotë nga CAF dhe FIFA për atë që ka ndodhur saktësisht”.

“Ai ishte një anëtar i përkushtuar dhe i dashur i komunitetit tonë të futbollit dhe ndikimi i tij ishte i madh, duke qenë gjithashtu pjesë e ekipit fitues të Kupës së Afrikës 2012”.

“Vdekja e tij është një humbje e madhe pasi Dr Kabungo ishte një mik dhe i besuar për shumë breza lojtarësh dhe familjet e tyre”.

“Ai ishte një nga personalitetet e shquara të futbollit zambian që valonte flamurin e Zambisë në ngjarjet globale të futbollit”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Federatës së Zambisë.

Barazimi 1:1 i Nigerisë në shtëpi ndaj Ganës i bëri mysafirët të kualifikoheshin në Kupën e Botës me golat jashtë fushe pas barazimit 0:0 në ndeshjen e parë.

Skena të shëmtuara pasuan pas fishkëllimës së fundit, ndërsa tifozët e Nigerisë vazhduan të sulmonin fushën dhe të thyenin gjithçka në stadium.

Tifozët vendas u përleshën me policinë, e cila hodhi gaz lotsjellës në përpjekje për t’i larguar, ndërsa zemërimi i tyre u kanalizua në akte të dhunshme në stadium.

Tifozët e Ganës u zhvendosën më pas në fushë pasi një numër prej tyre u sulmuan në tribuna.

Dhe lojtarët mysafirë u detyruan të vrapojnë për t’u mbrojtur pasi u qëlluan me shishe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore