Shqipëria

‘Mbështetje sociale për punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh’


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave bëri të ditur se është marrë vendimi për mbështetjen sociale të punonjësve dhe ish-punonjësve të rafinerisë së naftës në Ballsh.

“Do të ketë një pagesë, të barabartë me pagën minimale, përfshirë dhe kontributet shoqërore e shëndetësore, që do u jepet ish-punonjësve të rafinerisë së Ballshit”.

Ibrahimaj bëri të ditur se do të rishikohet lista e të gjithë këtyre personave. Ajo iu bëri thirrje që të drejtohen pranë zyrave të punës për të përfituar nga kjo ndihmë për gjatë gjithë viti 2022.

“Ata persona që janë të punësuar dhe ish të punësuar të drejtohen pranë zyrave të punës duke dorëzuar të gjithë dokumentacionin përkatës”, tha Ministrja në fjalën e saj.

E pyetur nga gazetarët rreth rritjes së naftës me 8 lekë një ditë më parë, Ibrahimaj u shpreh e prerë se, “Shqipëria operon sistemin e tregut të lirë”.  Sipas saj qeveria nuk ndërhyn në çmime, por mund të ndërmarrin politika mbrojtëse.

“Rritja e çmimit të naftës, energjisë dhe produkteve të tjera është një subjekt i rritjeve jo vetëm në Shqipëri por dhe në të gjithë vendet e rajonit dhe Evropës. Jemi në monitorim me qëllim që të bëjmë të gjitha analizat e mundshme dhe ndërhyrjen që mund të bëhet”.

Ndërsa sa i përket uljes së taksave për naftën dhe nënproduktet e saj që duhet t’i paguajnë shtetit ajo tha se deri më tani nuk ka një rishikim të ligjit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore