Shqipëria

Mbështetësi i Shqipërisë u shua – Politika e kujton si evropian të pashoq


Evropa humbi një politikan të madh. Shqipëria, një mik të vendit dhe mbështetës të paepur të zgjerimit të Bashkimit Evropian me futjen e Ballkanit Perëndimor në bashkësi.

David Sassoli, në moshën 65 vjeçare, mbylli sytë përgjithnjë, pas një përkeqësimi shëndetësor, i cili nuk e lejoi të vijonte punën si një ndër zyrtarët më të lartë të Bashkimir Evropian, në postin e Presidentit të Parlamentit Evropian.

Politika shqiptare, e ka kujtuar po ashtu Sassolin si një mik të madh të shqiptarëve.

Presidenti Ilir Meta, në një postim në median sociale Facebook, ka ngushëlluar familjen e Sassolit dhe institucionet evropiane, duke e quajtur atë një evropianist të shquar.

“I hidhëruar nga humbja e papritur e një evropianisti të shquar dhe mbështetësi të palodhur të zgjerimit të BE drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të Shqipërisë, Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli”, shkruan Meta shkurtimisht për ish-presidentin Sassoli.

“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte”.

Kështu e ka përshkruar kryeministri Edi Rama, Sassolin, duke e cilësuar atë më tej si një evropian të paepur dhe italian krenar.

Si një avokat të zjarrtë të Shqipërisë, kreu i Qeverisë nuk la pa përmendur as karrierën e gjatë të Sassolit si gazetar.

Edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla, si homologe direkte e Sassolit, ka shkruar një mesazh ngushëllimi për të.

“Një shtetar i madh i PE-së. Ai ishte një vizionar dhe zëri i Shqipërisë brenda unionit”.

Një reagim ka ardhur edhe nga kreu i opozitës, Lulzim Basha

i cili e përshkruan atë si mik të shqiptarëve dhe mbështetës të sinqertë të aspiratës kombëtare për integrimin evropian.

“Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij për këtë humbje pikëlluese”.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, nga ana tjetër, e ka kujtuar Sassolin si një president të jashtëzakonshëm dhe kampion të vlerave evropiane.

“Mik i dashur për shqiptarët. E vajtojnë sot këtë italian të pashoq dhe evropian krenar”, ka përmbyllur ajo mesazhin e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore