Lajme

Mbërritja në Mars, Perseverance në gjendje të shkëlqyer


Perseverance, roboti i ndërtuar nga NASA për misionin në Mars

Një robot i ri ndodhet në sipërfaqen e Marsit!

Agjencia Hapësinore Amerikane (NASA) ka çuar në mënyrë  të suksesshme në planetin e kuq, sondën Perseverance. Ky është roboti më i sofistikuar i ndërtuar në historinë hapësinore amerikane. Eksplorimi i kraterit Jezero, do të jetë objektivi parësor i tij.

“Sonda është në gjendje të shkëlqyer” deklaroi pas uljes zëvendës menaxheri i projektit, Matt Wallace.

Ekipi, i cili kishte punuar prej vitesh në projekt, shpërtheu në brohoritma kur faza e parë e misionit, u përmbyll me sukses. Kontrolli i misionit u ndoq drejtpërdrejt nga California.

Dy vitet e ardhshme, Perseverance do t’i kalojë duke gërmuar gurët e kraterit. Shkencëtarët mendojnë se 3.9 milionë vite më parë, aty është gjendur një liqen. Ky i fundit, mund të ketë krijuar kushtet ideale për të zhvilluar jetën aty.

Pamja e parë e Marsit e kapur nga Perseverance

“Gjendemi në pozita të mira. Mjeti është anuar vetëm me 1.2 gradë”, tha drejtuesi i ekipit, Allen Chen. “Gjetëm vendin ideal të parkimit. Jam shumë krenar për performancën që arritëm”.

Presidenti Joe Biden ndërkohë, e ndoqi nga Shtëpia e Bardhë ngjarjen historike. “Urime NASA-s dhe çdo personi të përfshirë në këtë projekt”, shkruan Biden-i në Twitter. “Dita e sotme, provoi sërish fuqinë e shkencës amerikane. Asgjë nuk është e pamundur”.

Mjeti me gjashtë rrota nuk do të kthehet më të Tokë. Gjithsesi, mostra të mbledhura do të kthehen në planetin blu për t’u analizuar.

Misioni u ndoq live në YouTube, kur mjeti mbërriti në orën 22 në Mars. Një video e plotë e çasteve kur hyn në atmosferën marsiane, pritet të dalë më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore