Lajme

Mbërrin në Liban dërgesa e karburantit e organizuar nga Hezbollah-u


Të enjten e herët të 16 shtatorit, një autokolonë kamionësh cisternë që transportonin naftë iraniane kaloi kufirin nga Siria në Liban, një dërgesë e organizuar nga grupi militant, Hezbollah.

Kjo për të lehtësuar mungesat dërrmuese të karburantit në vend, i cili është goditur nga kriza.

Mirëpo, ky dorëzim shkel sanksionet amerikane të vendosura ndaj Teheranit pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi Amerikën nga një marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore tre vjet më parë.

Agjencia e lajmeve, “Associated Press”, tregon se kjo u portretizua si një fitore nga Hezbollah-u, i cili ndërhyri për të furnizuar karburantin nga mbrojtësi i tij, Irani, teksa qeveria u përball me mungesat e karburantit për muaj të tërë.

Tankeri i parë iranian i naftës mbërriti në portin sirian të Baniyas të dielën e 12 shtatorit dhe nafta u shkarkua në depot siriane. Më vonë u soll në Liban.

Sayyed Hassan Nasrallah, udhëheqësi i Hezbollah-ut, ka sqaruar se cisterna nuk e shkarkoi ngarkesën e saj në mënyrë direkte në Liban për të shmangur turpërimin e autoriteteve libaneze dhe rrezikimin e sanksioneve ndaj Libanit.

Nga ana tjetër, nuk ka patur asnjë koment të menjëhershëm nga zyrtarët libanezë ose amerikanë mbi shpërndarjen e karburantit iranian.

Televizioni “Al-Manar” i Hezbollah-ut e ka quajtur atë “vargan të kamionëve cisternë për të thyer rrethimin amerikan”, duke shtuar se secili nga 20 kamionët cisternë mbanin 50 mijë litra ishin duke shkuar drejt qytetit Baalbek të Libanit lindor.

Nga atje do të nisë edhe shpërndarja e ngarkesës.

Sipas “Associated Press”, Libani është nën kontrollin e një krize shkatërruese ekonomike.

Mungesat e mëdha të karburantit kanë paralizuar vendin, duke rezultuar në ndërprerje të energjisë që kanë prishur punën e spitaleve dhe furrave të bukës.

Vetëm për t’u furnizuar me karburant, njerëzit duhet të presin orë të tëra në radhë.

Lidhur me rrugën që përshkuan kamionët, ata kaluan nga provinca qendrore e Homs-it në Siri në Luginën Bekaa të Libanit dhe u mirëpritën nga banorët që u mblodhën në anët e rrugës kryesore.

Rrugët u mbushën nga flamujt dhe pankartat e verdha të Hezbollah-ut që lavdëronin grupin e mbështetur nga Irani dhe presidentin e Sirisë, Bashar Assad.

Kjo mbërritje iraniane vjen afro një javë pasi u formua një qeveri e re, duke i dhënë fund një bllokimi 13-mujor. Ndërkaq, kryeministri i ri i Libanit, Najib Mikati, nuk ka komentuar mbi marrëveshjen për importimin e karburantit nga Irani.

Në fillim të kësaj jave, Nasrallah ka thënë se nafta do t’i dhurohet për një periudhë një mujore institucioneve, duke përfshirë spitalet publike, shtëpitë e pleqve, jetimoret, stacionet e ujit dhe Kryqin e Kuq në Liban.

Ai ka vijuar se të tjerët që do të marrin karburant me çmime të ulëta janë spitalet private, fabrikat e ilaçeve dhe serumit, furrat e bukës dhe kooperativat që shesin produkte ushqimore.

Dhe se në javët e ardhshme, do të mbërrijnë tre cisterna të tjera me naftë dhe një me benzinë​​.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore