Shqipëria

Mbërrijnë në Shqipëri dy avionë të tjerë me afganë


Në orët e para të mëngjesit së 29 gushtit, kanë mbërritur në Shqipëri dy avionë të nisur nga Kabuli.

Avioni i parë mbërriti në aeroportin e Rinasit me 154 pasagjerë, ku 108 prej tyre u vendosën ne konviktet e qytetit Studenti, dhe pjesa tjetër në struktura hoteliere në Durrës.

Fill pas kësaj ka mbërritur edhe avioni i pestë nga Afganistani brenda 72 orëve me 28 persona në bord.

Afganët u pritën në ambientet e aeroportit nga zëvendësministrja e Jashtme, Megi Fino.

Deri më tani në Shqipëri po strehohen 457 qytetarë afganë.

Të angazhuar janë edhe fondacione të shumta humanitare, për sjelljen e sigurt të afganëve në Shqipëri. Pikërisht nga këtu, çdo procedurë e mëpasshme do të kryhet për të vijuar procesin me lejet e qëndrimet amerikane, të cilat do t’u bëjnë atyre të mundur, stabilizimin përfundimtar në SHBA.

Ndërsa, Qeveria shqiptare, mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për t’i strehuar këta shtetas.

E ka theksuar këtë gjë si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Strukturat akomoduese janë gati dhe të pajisura me çdo mjet të nevojshëm.

Ecuria e fluturimeve gjithsesi, duhet parë, dhënë kushtet e vështira në Kabul.

Shumica e afganëve të mbërritur në Shqipëri, me poste zyrtare në Afganistan

Nëpërmjet një statusi në Twitter, Përfaqësuesja e Distriktit të 8-të Michigan-it në Shtetet e Bashkuara, Elissa Slotkin, ka bërë me dije se shumica e afganëve që kanë mbërritur në Shqipëri zinin poste zyrtare në Afganistan.

“Më shumë se 70 prej këtyre njerëzve ishin të lidhur me Universitetin Shtetëror të Miçiganit, ndërsa 30 të tjerë ishin ish-zëvendësministra, staf dhe oficerë ushtarakë të ish-qeverisë afgane, të cilët ishin kërcënuar dhe gjuajtur nga talebanët”, nënvizon Slotkin në deklaratën e saj.

Përfaqësuesja ka shkruar se vetëm pak orë më parë – referuar mbërritjes së tyre në Shqipëri – ekipi i saj arriti të evakuojë me sukses pas një odiseje të tensionuar 10-ditore, 114 shtetas afganë jashtë Kabul-it.

Zyrtarja amerikane, e cila punon edhe si analiste për CIA-n, shtoi se lista e njerëzve për të falënderuar është e madhe duke përfshirë forcat ushtarake amerikane dhe australiane që veprojnë në SHBA, Afganistan, Katar dhe Shqipëri, të cilët “vazhdojnë të kryejnë me guxim misionin pavarësisht rreziqeve serioze”.

Më tej, Slotkin rrëfen se gjatë rrugës, anëtarët individualë të Ushtrisë Amerikane, Marinsat dhe Forcat Ajrore, si dhe oficerët e shërbimit të jashtëm të Departamentit të Shtetit, stafi në MSU dhe miqtë e saj në botën e sigurisë kombëtare ju përgjigjën thirrjes “kur ishim të dëshpëruar dhe përtej çdo përshkrimi të punës”.

Duke iu kthyer Ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, Slotkin shkruan se diplomatja ka qenë e jashtëzakonshme “duke na ndihmuar të zhvendosim këta shtetas afganë në Shqipëri me një njoftim jashtëzakonisht të shkurtër”.

Përfaqësuesja garanton ndërkaq se gjatë ditëve të ardhshme, ekipi i saj dhe ajo vetë do të vazhdojnë të bëjnë pjesën e tyre të punës për të evakuuar në mënyrë të sigurt sa më shumë shtetas afganë të jetë e mundur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore