Pajisje

Mbërrijnë në SHBA armët inteligjente, trondisin tregun e armëve të zjarrit


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, armët inteligjente të personalizuara që mund të gjuhen vetëm nga përdoruesit e verifikuar janë tanimë të disponueshme për konsumatorët.

Armët bëhen të mundura pas dy dekadash shqetësimesh mbi një valë të re rregullimesh qeveritare, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kompania LodeStar Works ka zbuluar pistoletën e vet inteligjente nëntë milimetrash për aksionerët dhe investitorët në Boise, Idaho.

Edhe kompania SmartGunz LLC, thotë se agjentët e zbatimit të ligjit po testojnë produktin e vet, një model të ngjashëm ama më të thjeshtë.

Këtë vit, të dyja kompanitë shpresojnë të kenë një produkt në treg.

Gareth Glaser, bashkëthemeluesi i LodeStar, ka treguar se u frymëzua pasi dëgjoi shumë histori rreth fëmijëve të qëlluar teksa luanin me një armë të pambikëqyrur.

Ndërkaq, armët inteligjente mund të ndalojnë tragjedi të tilla, duke përdorur teknologjinë për të vërtetuar identitetin e një përdoruesi dhe për të çaktivizuar armën nëse dikush tjetër përpiqet ta gjuajë atë.

Gjithashtu mund të reduktojnë vetëvrasjet, t’i bëjnë të padobishme armët e humbura ose të vjedhura dhe të ofrojnë siguri për oficerët e policisë dhe rojet e burgut që kanë frikë nga rrëmbimi i armëve.

Glaser ka pranuar se do të ketë sfida shtesë për prodhimin në shkallë të gjerë, por ka shprehur besimin se pas vitesh provash dhe gabimesh teknologjia do të bëhej mjaft e avancuar.

“Më në fund ndihemi sikur jemi në pikën ku të dalim publikisht”, ka thënë Glaser.

Sipas “Reuters”, prototipat e mëparshëm kanë përdorur teknologjinë e zhbllokimit të gjurmëve të gishtërinjve ose të identifikimit të frekuencës radio që i mundëson armës të shkrepë vetëm kur një çip në armë komunikon me një çip tjetër të veshur nga përdoruesi në një unazë ose byzylyk.

Ndërkaq, arma LodeStar ka integruar si një lexues të gjurmëve të gishtërinjve, ashtu edhe një çip komunikimi në fushë të afërt të aktivizuar nga një aplikacion telefoni, plus PIN-in.

Dhe arma mund të autorizohet për më shumë se një përdorues.

Lexuesi i gjurmëve të gishtërinjve zhbllokon armën në mikrosekonda, por meqenëse mund të mos funksionojë kur është e lagësht ose në kushte të tjera të pafavorshme, PIN-i është aty si rezervë.

LodeStar e demonstron sinjalin e komunikimit të fushës së afërt si një rezervë dytësore, duke mundësuar armën aq shpejt sa përdoruesit mund të hapin aplikacionin në telefonat e tyre.

Kurse SmartGunz ka zbvilluar një model që shitet 1 mijë e 795 dollarë për zbatuesit e ligjit dhe 2 mijë e 195 dollarë për civilët, ka treguar Tom Holland, bashkëthemeluesi i kompanisë.

Ama, në lojë janë edhe ata që nuk i besojnë armëve inteligjente.

Skeptikët kanë argumentuar se armët inteligjente janë shumë të rrezikshme për një person që përpiqet të mbrojë shtëpinë ose familjen gjatë një krize.

Për ta, ato janë të rrezikshme edhe për policinë në terren.

Megjithatë, Fondacioni Kombëtar i Sporteve të Qitjes (NSSF), shoqata tregtare e industrisë së armëve të zjarrit, nuk i kundërshton armët inteligjente për sa kohë që qeveria nuk e urdhëron shitjen e tyre.

Armët që dalin në treg mund të nxisin një ligj të New Jersey-it të vitit 2019, i cili kërkon që të gjitha dyqanet e armëve në shtet të ofrojnë armë inteligjente pasi ato të bëhen të disponueshme.

Ligji në fjalë i vitit 2019 zëvendësoi një ligj të vitit 2002 që ndalonte shitjen e çdo pistolete, përveç armëve inteligjente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore