Shqipëria

Mbërrijnë 50 mijë doza AstraZeneca, Manastirliu: Nga nesër edhe 200 mijë vaksina të tjera


Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , Ogerta Manastirliu, ishin të pranishëm në aeroportin e Rinasit ku erdhën edhe 50 mijë doza të tjera të vaksinës AstraZeneca, nga India.

Ministrja bëri me dije se janë mbi 400 mijë vaksina të ardhura gjithsej dhe mbi 320 mijë doza vaksinash të administruara në vend.

Manastirliu shtoi se nga nesër dhe javën në vazhdim priten edhe 200 mijë doza të tjera vaksinash.

Ajo tha se do të vazhdohet vaksinimi masiv. Pjesë e fushatës së vaksinimit paralelisht me personat mbi 60 vjeç do të jenë edhe punonjësit e transportit publik, duke nisur nga ato të transportit ajror.

Situata e panemisë, sipas ministres, paraqitet “e kontrolluar, por duhet të kemi vigjilencë”.

“Drita në fund të tunelit është më e qartë se kurrë më parë. Falë ndihmës së miqve tanë, do ia dalim të jemi në normalitet”, përfundoi fjalën ministrja.

Në Shqipëri ndërkaq vazhdon procesi i vaksinimit në të gjitha qarqet. Janë mbi 320 mijë persona të vaksinuar deri tani.

Mbi 200 mijë prej tyre janë të moshuar mbi 70 vjeç.

Vaksinimi vazhdon për kategorinë e arsimtarëve. Për bluzat e bardha është përmbyllur tërësisht. Për policët ndërkaq, pjesa më e madhe e fazës së parë është përfunduar.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore