Shqipëria

‘Mbërrijnë 11 mijë e 700 doza vaksina të Pfizer’


Sapo kanë mbërritur në Shqipëri, mbrëmjen e 4 majit, 11 mijë e 700 doza të tjera të vaksinës Pfizer.

Këtë e konfirmoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter.

Manastirliu bëri me dije se 7 mijë e 20 doza janë nga kontrata e qeverisë  shqiptare me kompaninë Pfizer dhe pjesa tjetër 4 mijë e 680 nga marrëveshja me Bashkimin Europian (BE).

“Një sasi e parë prej 4 mijë e 680 doza nga mbështetja e BE”.

Përsa i përket kësaj komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin i BE-së, Oliver Varhelyi, përmes një postimi në Twitter, më 30 prill, ka njoftuar se do të shpërndajë 651 mijë doza për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nga kjo skemë Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Këto doza, Varhelyi ka deklaruar se do të dorëzohen nga maji deri në gusht për të rritur fushatat e vaksinimit.

Ndërkohë pritet që mëngjesin e 5 majit të mbërrijë në Shqipëri Varhelyi për shpërndarjen e dozave të vaksinës.

Shqipëria deri më tani ka vaksinuar 537 mijë e 387 qytetarë.

Mbi 100 mijë qytetarë po marrin dozën e dytë të vaksinës.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore